Pas shumë vitesh analizimi të gjesteve (që nga viti 2017, konkretisht), deklaratave apo synimeve, momenti i shumëpritur tashmë është në horizont. “Makineria” për prezantimin e Kylian Mbappe është tashmë në lëvizje.
Është e pandalshme. Francezi planifikon të paraqitet në kryeqytetin e Spanjës javën e ardhshme për të nënshkruar kontratën dhe prezantuar si lojtar i ri i Real Madridit.
Drejtuesit e entitetit madrilen kanë dashur gjatë këtyre muajve të qëndrojnë larg diçkaje, që jepte indikacione.
Ajo që ndodhi në vitin 2022 ka bërë që ata të lëviznin ndryshe. Pasi futbollisti dhe drejtuesit e klubit parizien kanë gjetur një pikë marrëveshjeje për lamtumirën e tij, Mbappé tani e ka të qartë rrugën për t’u konsideruar si një lojtar i ri për klubin mbretëror madrilen.
Sulmuesi tashmë është i përqendruar me kombëtaren e tij në përgatitje për “Euro 2024”. Të mërkurën e ardhshme ka një ndeshje miqësore në Metz, kundër Luksemburgut, dhe gjithçka tregon se prezantimi i Mbappe në “Bernabeu” do të bëhet të enjten, më 6 qershor, duke përfituar edhe nga fakti se vetë Deschamps komentoi ditë më parë se do të dëshironte që gjithçka të vendosej para fillimit të kompeticionit në Gjermani.
Ditët e fundit sulmuesi grancez është dukur më i relaksuar, duke pranuar se gjithçka do të zyrtarizohet së shpejti. Po, ai nuk e ka përmendur kurrë emrin e Real Madridit, por ajo që ka bërë ka qenë nënshkrimi i një autografi në fanellën e bardhë të Real Madridit, një rrethanë që nuk kishte ndodhur vitet e fundit.
Takimi aq i kërkuar nga shumëkush dhe ajo ëndërr që vetë Kylian Mbappé tha se e kishte në kohën e fëmijërisë do të realizohet javën e ardhshme. Së pari, Real Madridi dëshiron të fiksojë detajet dhe të kërkojë një prezantim që do të bëjë histori, në një “Santiago Bernabéu” që jo vetëm bën përshtypje si stadium futbolli, por ka fituar respekt edhe në botën e muzikës e argëtimit.