Legjenda e Milan aprovon Fonsecën

Futboll

Legjenda e Milan aprovon Fonsecën

Më: 6 qershor 2024 Në ora: 15:43
Paulo Fonseca

Paulo Fonseca është gjithnjë e më pranë Milanit, me trajnerin portugez që pasi zgjidhi kontratën me Lille, pritet të firmosë në Itali me kuqezinjtë. Opinioni sportiv është i ndarë sa i takon ish-trajnerit të Romës, teksa një pjesë e madhe e konsiderojnë si një që nuk do të përshtatet me Milanin apo edhe që nuk është në lartësinë e klubit.

Megjithatë, së fundmi në krah të teknikut portugez ka dalë një legjendë kuqezi si Andriy Shevchenko. Ish-sulmuesi, në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, theksoi se Fonseca është një trajner serioz dhe se në kohën kur ka drejtuar Shakhtar Donetsk në Ukrainë ka lënë një shije të mirë.

“Nuk e di nëse Milani e ka mbyllur apo jo me Fonsecën, por mund të them që ai ka punuar në Ukrainë dhe ka lënë gjurmë. Është një person shumë kompetent në punën e tij, është edhe mjaft pozitiv.

E përsëris se nuk i di planet e Milan, por Fonseca është një trajner serioz.

Milani në kërkim të një sulmuesi? Është diçka logjike pasi largohet Giroud. Ishte një sulmues i vërtetë dhe që ka bërë shumë mirë te Milani, nuk do të jetë e lehtë ta zëvendësojnë.

Do të duhet të gjejnë një sulmues tjetër i cili të shënojë 16 apo 17 gola në sezon. Lukaku? Të gjithë i njohim karakteristikat e Lukakut dhe varet se çfarë pëlqen trajneri i ardhshëm”, u shpreh Shevchenko.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat