Bruno Fernandes, është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Manchester United.
Sipas gazetarit të njohur të transfereve, Fabrizio Romano, kjo lëvizje e United vjen si një përpjekje për të siguruar një nga lojtarët kyç të ekipit për të ardhmen.
"Mesfushori 29-vjeçar pritet të qëndrojë në "Old Trafford" deri në vitin 2027, me një opsion për një vit shtesë" ka thënë ai.
Fernandes aktualisht ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij të nënshkruar në vitin 2022.
Në katër vite e gjysmë te Manchester United, Fernandes ka luajtur mbi 220 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar shtatëdhjetë e tri gola dhe duke dhënë gjashtëdhjetë e pesë asistime. Njëzet e tre nga golat e tij kanë ardhur nga pika e penalltisë.
Gjatë kohës së tij në klub, ai ka fituar FA Cup dhe Carabao Cup, të dyja nën drejtimin e trajnerit Erik ten Hag, dhe ka arritur finalen e Europa League në sezonin 2020/21.