Konseisao: Juvja një nder, këtu për trofe

Futboll

Konseisao: Juvja një nder, këtu për trofe

Më: 28 gusht 2024 Në ora: 19:27
Konseisao

Francisko Konseisao është zyrtarisht një lojtar i ri i Juventusit.

Klubi bardhezi ka njoftuar nëpërmjet të gjitha kanaleve komunikative zyrtare se është arritur një marrëveshje me klubin e Portos për blerjen, në mënyrë të përkohshme deri më 30 qershor 2025, të të drejtave për paraqitjet sportive të futbollistit Fransisko Fernandesh de Konseiaso për një tarifë prej shtatë milionë euro.

Kjo tarifë mund të rritet, gjatë kohëzgjatjes së kontratës së performancës sportive me lojtarin, me një shumë jo më të madhe se 3 milionë euro, me arritjen e objektivave të caktuara sportive. Anësori ofensiv i lindur në vitin 2002 zbarkoi të dielën në mbrëmje në aeroportin e Kazeles (Torino) dhe të hënën përfundoi ritualin e vizitave mjekësore në “JMedical”. Kontrata përfshin gjithashtu një klauzolë prej 30 milionë euro (që do të arrijë në 45) deri më 15 korrik 2025.

Lojtari do të vendosë, me Juventusin që kërkon të ketë përparësi në blerjen e kartonit. Francisko, djali i ish-futbollistit dhe tashmë trajnerit Serxho Konseisao, tashmë po përgatitet t’i bashkohet në stërvitje skuadrës së Tiago Motës, i cili u rikthye me tre pikët nga transferta kundër Veronës.

DEKLARATAT E PARA – Francisko Konseisao është i shpejtë në fushë, por edhe jashtë saj. Portugezi, shumë i emocionuar për transferimin në Serinë A, ka dhënë disa deklarata për klubin e Juventusit duke theksuar se: “Jam shumë i lumtur, mendoj se dita e parë shkoi shumë mirë. Mezi pres të bashkohem me shokët e mi të rinj dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt. Sepse kam bindjen dhe ambicien për t’i ndihmuar. Është një krenari e madhe, sepse të dish që një klub i madh si Juventusi është i interesuar për ty, qartësisht të bën krenar dhe unë dua ta ndihmoj ekipin tim të ri të arrijë qëllimet”.

Më pas, ai ka folur shkurtimisht edhe për karakteristikat që shumë shpejt do të vlerësohen e përdoren sipas nevojë nga trajneri Tiago Mota. “Si lojtar më pëlqen shumë të shpik dhe të bëj gjëra të ndryshme. Driblimi është një nga cilësitë e mia, një nga karakteristikat e mia, ashtu si shpejtësia, vendosmëria dhe mentaliteti i duhur.

Mendoj se falë këtyre karakteristikave Juve ka treguar interes në mua dhe unë jam shumë i lumtur për këtë. Shpresoj të bëj gjëra të mëdha sepse vërej një dëshirë të madhe për të fituar. Edhe unë dua të fitoj tituj, kjo është ajo që kërkon klubi. Tani jam padyshim më i pjekur dhe më i përgatitur për një aventurë si kjo”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat