Çela: Pa portier në stol? Ishte nën moshë

Futboll

Çela: Pa portier në stol? Ishte nën moshë

Më: 17 shtator 2024 Në ora: 19:03
Emiliano Çela

Kukësi pëson humbjen e tretë rradhazi duke u mposhtur nga Flamurtari në shtëpi me rezultatin 1-2. Verilindorët bien ‘pikiatë’ në vendin e parafundit të renditjes me vetëm 3 pikë në 4 ndeshje. Në përfundim të ndeshjes, trajneri Emiliano Çela foli për RTSH Sport.

“Këta janë kundërshtarët, pavarësisht forcës do të mundohemi të marrim pikë me të gjithë. Kam zhvilluar vetëm 3 stërvitje dhe jam munduar të flas vetëm për parime dhe ekuilibra. Pretendoja diçka më shumë te posedimi i topit, ramë pak në presionin e kundërshtarit. Patëm mundësitë tona ku mund të barazonim. Është ndeshje futbolli dhe nga episode zgjidhet. Jemi ekip i ri dhe duhet të ngrihemi shpejtë sepse ndeshjet janë afër. Tani kemi një bllok ndeshjesh me kundërshtarët tanë.

Nuk jemi trajner që e gjejmë punën poshtë shtëpisë. Të vij në Kukës është larg, por ky është pasioni jonë. Kënaqësi kur na ofrojnë punë dhe na vlerësojnë. Përgatitëm një mënyrë kapjeje për Flamurtarin me atë sistem loje duke sakrifikuar pak mbrojtësit e krahut. E dinim që Trashi do të ishte pikë e fortë për kundërshtarin. Kam lojtarë që luajnë jashtë pozicionit natyral. Ndryshova skemën, por nuk është se zgjidhëm gjë pasi u munduam të barazonim e të mbronim rezultatin.

Në këto momente mundohemi të krijojmë një modul në bazë të organikës dhe cilësive që kemi. Në një proces pune më duhet kohë të njoh limitet e lojtarëve. E rëndësishme është të jenë në pozicione natyrale për t’i dërguar në më të mirën e vetë. Jam i kënaqur me lojtarët sot pasi patën agresivitet, dolën në limitet e tyre.

Nuk mendoj se Flamurtari pati ndonjë superioritet. Kishim 2 raste të pastra për të shënuar. Besoj se kemi cilësi për të mos rënë nga kategoria.

Pa portier në stol? Patëm një problem pasi portieri ishte nën moshë, 17-vjeç. Kjo është strategjia jonë këtë sezon. Më thanë që ishte problem teknik, çështje procedurash.

Bari i fushës? Po kalon punëtori i fushës dhe pyete atë (Qesh). Kjo është fusha, këtu njerëzit mundohen dhe të shohim”, tha Çela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat