Kosova e fiton miqësoren ndaj Moldavisë 

Futboll

Kosova e fiton miqësoren ndaj Moldavisë 

Më: 25 mars 2025 Në ora: 16:39
Kombëtarja U21 e Kosovës

Kombëtarja U21 e Kosovës ka shënuar fitore në ndeshjen e dytë miqësore në kuadër të grumbullimit në Antalya të Turqisë.

Pas humbjes (1:2) kundër Turqisë, djelmoshat e drejtuar nga Afrim Tovërlani kanë triumfuar ndaj Moldavisë, në ndeshjen e zhvilluar në Belek, me rezultat 2:1.

Dardanët U21 e dominuan lojën plotësisht nga fillimi dhe arritën të kalojnë në epërsi qysh në minutën e 7-të, me golin e Medin Gashit. Edhe pse Kosova vazhdoi të kontrollojë lojën dhe pati disa raste të tjera për të shënuar, goli i dytë nuk erdhi.

Ndërkohë, moldavët arritën t’i barazojnë shifrat posa nisi pjesa e dytë.

Megjithatë, ky gol nuk i zmbrapsi djemtë dardanë, të cilët  arritën që të rikthehen shpejtë dhe të shënojnë golin e fitores përmes zëvendësuesit Kevin Krasniqi, në minutën e 65-të. Përzgjedhësi Afrim Tovërlani e vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij si shumë të mirë, derisa i përgëzoi djemtë për angazhimin dhe fitoren e realizuar.

“Një paraqitje mjaft e mirë dhe një angazhim maksimal, edhe pse në këtë grumbullim kemi pasur shumë ndryshime. Krejt mesfusha është e ndryshme prej grumbullimit të muajit nëntor.

Besoj se edhe me Turqinë kemi pasur paraqitje shumë të mirë, mirëpo ata janë shumë më të fortë se sa Moldavia. I përgëzoj djemtë për këtë angazhim dhe për këtë fitore, e cila sigurisht se do të na shërbejë që të kemi vazhdimësi më të mirë, por edhe djemtë do të fitojnë vetëbesim”, ka theksuar Tovërlani pas ndeshjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat