Furlani: Kemi besim të plotë te Conceiçao

Futboll

Furlani: Kemi besim të plotë te Conceiçao

Më: 10 maj 2025 Në ora: 11:50
Conceiçao

Para ndeshjes së kampionatit kundër Bologna, Giorgio Furlani u paraqit para mikrofonëve dhe bëri një bilanc të asaj që ka prodhuar deri tani sezoni, si dhe të asaj që do të ndodhë në të ardhmen. Nga konfirmimi i trajnerit deri te tema e drejtorit të ri sportiv dhe merkatos kuqezi.

Shefi ekzekutiv i Milanit dëshiroi të shprehte besimin e klubit te Sergio Conceição, duke lënë hapur edhe mundësinë për qëndrimin e jashtëzakonshëm të portugezit në sezonin e ardhshëm: “Që kur ka ardhur Sergio, ai ka fituar një trofe.

Të mërkurën mund të bëhet trajneri i parë i Milanit, pas Ancelottit, që fiton dy trofe në një sezon, ndaj kjo është diçka që duhet vlerësuar. Kemi besim të plotë tek ai, por për momentin jemi të fokusuar te ndeshja e të mërkurës. Sidoqoftë, e përsëris, kemi besim të plotë te trajneri ynë”.

Më pas, drejtori i “Djallit” mori anën e tifozërisë, duke shprehur gjithë zhgënjimin për këtë sezon që ka qenë poshtë pritshmërive: “Pas sezoneve të këtilla nuk ka vetëm një gabim, por ka shumë arsye. Jo si shefi ekzekutiv, por si tifoz kuqezi nuk jam i kënaqur me si ka shkuar ky sezon. Nuk do të shkojmë në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm, ku është shtëpia e Milanit. Megjithatë, do të përpiqemi të kthehemi sa më shpejt”.

Gjatë intervistës për mikrofonët e “Sky”, Furlani nuk iu shpëtoi pyetjeve në lidhje me drejtorin e ri sportiv: “Herën e fundit kam thënë që po vlerësonim mundësinë për të marrë një drejtor sportiv. Kam thënë gjithashtu që tema kryesore nuk ishte të merrnim dikë me ngut, por të zgjidhnim personin e duhur. Sot përgjigjem po ashtu. Tani vëmendja është për ta përfunduar mirë sezonin, por nëse do të sjellim dikë, do të jetë personi i duhur dhe nuk ka ndonjë nxitim”.

Më pas, shefi i Milanit qetësoi të gjithë tifozët, duke thënë se, pavarësisht mundësisë për të sjellë një drejtor sportiv, klubi nuk do të jetë i papërgatitur për merkaton: “Ne kemi punuar për shumë kohë tashmë. Merkatoja nuk fillon më 1 qershor, por shumë muaj më herët. Merkaton e bën klubi. Aktorët mund të ndryshojnë, por sigurisht që nuk jemi të varur nga një person, cilido qoftë ai”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat