Raportohet se Barcelona po i afrohet rregullit të ashtuquajtur “1:1” për herë të parë që nga momenti kur presidenti Joan Laporta aktivizoi levat e famshme ekonomike, apo shitjet e aseteve, në vitin 2022.
Në disa raste, Laporta ka deklaruar se klubi është pranë arritjes së këtij objektivi, por tani duket se po rritet sërish besimi se kjo mund të bëhet realitet më në fund këtë verë.
Rregullat e La Ligës, të miratuara dhe të pranuara nga klubet e dy kategorive më të larta, përcaktojnë se klubet mund të shpenzojnë vetëm një përqindje të të ardhurave të tyre për paga dhe transfere të lojtarëve dhe stafit teknik për çdo sezon.
Nëse fatura e pagave është mbi kufirin e llogaritur nga La Liga, atëherë një klub mund të shpenzojë vetëm 60% të të ardhurave që gjeneron nga shitjet dhe kursimet gjatë një vere të caktuar, me qëllim që klubi të rikthehet brenda këtyre parametrave. Barcelona ka qenë nën këto kufizime për 3.5 vitet e fundit, pasi ka pësuar humbje në tre sezonet e fundit.
Megjithatë, sipas Sport, Barcelona tani është vetëm 14 milionë euro larg përmbushjes së rregullit të shpenzimit “1:1” – term që nënkupton aftësinë për të shpenzuar aq sa fiton nga shitjet dhe kursimet.
Klubi duhet të mbetet brenda këtij kufiri për të shmangur kufizimet.
E përditshmja katalanase thekson se garancia bankare e ofruar nga bordi për regjistrimin e përforcimeve është ulur nga 18 milionë euro në 9 milionë euro, ndërsa faktorë kyç kanë qenë rinovimi i kontratës së Frenkie de Jong dhe sponsorët e rinj.
Po ashtu, përmendet se largimi i Marc-André ter Stegen do ta mbulonte diferencën gjatë verës, edhe pse një marrëveshje e tillë duket e vështirë financiarisht.
Me Robert Lewandowskin që pritet të largohet në verë në përfundim të kontratës së tij, Barcelona synon të gjejë një sulmues qendror (numër nëntë), një mbrojtës qendror dhe ta bëjë të përhershme marrëveshjen e huazimit të Marcus Rashfordit.
Këto tri lëvizje ka të ngjarë të kërkojnë edhe shitje të mëdha, ndërsa tifozët e Barcelonës me siguri do ta presin këtë lajm me rezervë, duke pasur parasysh se Laporta e kishte premtuar të njëjtën gjë edhe verën e kaluar.