Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, pëlqehet nga dy skuadrat e Serisë A, Udinese dhe Parma.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane, të cilat raportojnë se drejtuesit e të dyja ekipeve janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në skuadrën e Burnley-t, që zotëron kartonin e Brojës dhe që ka rënë zyrtarisht një kategori më poshtë në futbollin anglez.
Parma dhe Udinese kishin shfaqur interes për sulmuesin kuqezi edhe në merkaton e verës që lamë pas, por ekipi anglez u tregua më këmbëngulës duke paguar 23 milionë euro për Brojën, për një kontratë deri në vitin 2030.
Dëmtimet e shumta nuk e lanë Brojën që të kishte vazhdimësi dhe në këtë sezon ka shënuar vetëm 1 gol në kampionat, duke mos përmbushur pritshmëritë që drejtuesit kishin tek 24-vjeçari.
Vetë Burnley është gati që ta sakrifikojë sulmuesin shqiptar dhe mund të ulet në bisedime me skuadrat e tjera për merkaton e verës.
Një aventurë e re do të ishte e mirëpritur edhe për Brojën, që kërkon një skuadër ku të gjejë vazhdimësi. Seria A mund të ishte një kampionat që do ta bënte komod për të ekzaltuar cilësitë e tij.