Raundi i fundit i kampionatit ka konfirmuar vështirësitë e mëdha të Milanit në periudhën e fundit, i cili tani rrezikon të hedhë poshtë punën e një viti të tërë. Ndërkohë, frenimi i Juventusit i rikthen shpresat Romës dhe Komos.
Katër skuadra brenda 5 pikëve
Disa shpresojnë që kjo garë për Champions të mos mbarojë kurrë, për spektaklin dhe surprizat që sjell javë pas jave.
Të tjerë (ndoshta Alegri?) do të dëshironin që kampionati të përfundonte sa më shpejt në këtë gjendje.
Sepse java e 35-të ka treguar se në luftën për Europën gjithçka mbetet e hapur. Pas çdo jave fshihet një surprizë që mund të ndryshojë fundin e sezonit, i cili do të mbetet i hapur deri në fund për të gjitha skuadrat nga vendi i 3-të deri në të 6-in. Një “botë” e tërë e përqendruar në vetëm 5 pikë.
3° Milani – 67 pikë
Barazimi 0-0 kundër Juventusit pak më shumë se një javë më parë kishte forcuar vendin e tretë të kuqezinjve, me 67 pikë, +3 ndaj bardhezinjve dhe +6 ndaj Komos dhe Romës.
Por humbja e thellë në Rexhio Emilia dhe forma e dobët e fundit kanë nxjerrë në pah vështirësitë e mëdha të Milanit, i cili tani rrezikon seriozisht të dështojë gjithë sezonin.
Kalendari: Atalanta, Xhenoa dhe Kaljari. Nuk është aspak i lehtë, sidomos duke parë formën e skuadrës së Alegrit (3 humbje në 5 ndeshjet e fundit, vetëm 1 fitore dhe vetëm 1 gol i shënuar). Në rast barazimi pikësh me Juventusin, ndeshjet direkte janë të barabarta (0-0 në të dyja takimet), por Milani ka golavarazh më të dobët. Ndërkohë duhet të ruhet edhe nga Roma, që është vetëm 3 pikë larg, edhe pse në këtë rast ka avantazh në përballjet direkte.
4° Juventusi – 65 pikë
Rasti i humbur në shtëpi kundër Veronës tashmë të rënë nga kategoria mund të peshojë shumë. Juventusi është aktualisht i katërti, por vetëm +1 mbi Romën, ndërsa Komo ndodhet -3. Kalendari: Leçe, Fiorentina dhe Torino. Në letër duket i favorshëm, por ndeshja me Leçe që lufton për mbijetesë dhe derbi me Torinon nuk janë aspak të lehta. Në rast barazimi pikësh, Juventusi ka avantazh ndaj Romës, por është në disavantazh ndaj Komos.
5° Roma – 64 pikë
Skuadra e Gasperinit ka përfituar nga ndalesat e Milanit, Juventusit dhe Komos, duke fituar bindshëm ndaj Fiorentinës dhe duke u afruar shumë me vendin e katërt, madje duke kaluar Komon. Kalendari: Parma, Lacio dhe Verona. Një situatë e ngjashme me Juven, përveç derbit me Lacion, përballje me skuadra që kanë pak objektiva në fund të sezonit ose tashmë e kanë fatin e vendosur (Verona e rënë). Problemi kryesor janë përballjet direkte: Roma është në disavantazh ndaj të gjitha rivalëve.
Për të shkuar në Champions, duhet të shmangë barazimin me pikë me ekipet e tjera.
6° Komo – 62 pikë
Komo, pas ndeshjeve të vështira së fundmi (Napoli dhe Inter në katër ndeshjet e fundit), gjendet pak më mbrapa: -2 nga Roma, -3 nga Juventusi dhe -5 nga Milani. Megjithatë, kalendari është në favor të skuadrës së drejtuar nga Fabregas, e cila do të përballet me Verona, Parma dhe Kremoneze në tre javët e fundit. Kështu, gjithçka mbetet e hapur në mënyrë të jashtëzakonshme.