Java e 34-të u përsërit!
Dallavere e kurdisje në shumicën e ndeshjeve në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë.
Prishtina – Vardari përfundoi pa gola (0:0, 15 qershor, 1986) dhe askush nuk dyshonte, sepse ashtu si nisi edhe përfundoi, ashtu siç i kishte hije.
Java e 34-të u përsërit pas dy jave, përplasje, akuza e tronditje.
Për kurdisje të ndeshjeve u dënuan me nga minus 6 pikë Partizani e Cërvena Zvezda e Beogradit, Velezhi i Mostarit, Rijeka. Dinamo e Zagrebit, Buduçnoisti i Podgoricës, Zhelezniçari i Sarajevës, Sutjeska e Nikshiqit, Çeliku i Zenicës e Sarajeva.
Skandali më i madh në futbollin ish jugosllav, nga "makina e famshme e Shajberitt", kështu quhej atëkohë.
Në ndeshjen e përsëritur Prishtina barazoi me rezultat 2:2 (29 qershor, 1986) me Vardarin e Shkupit.
Afrim Tovërlani, fëmijë i Prishtinës, u rrit e u poq dhe fitoi të gjitha trofetë më klubin më të madh në vendin tonë.
Në minutën e 70-të, Tovërlani dinak, truphollë e me zgjuarsinë e tij, barazoi rezultatin (2:2).
“Edhe ndeshja e përsëritur, me të cilën (shpresojmë) praktikisht përfundoi kampionati i Ligës së parë federative, Prishtina – Vardari u mbyll sikur ajo e para.
Rezultati edhe këtë radhë qe baras, mirëpo me dallim se në «reprizë» u shënuan katër gola, pra ndeshja u mbyll me rezultat 2:2 (0:1).
Mysafirët qenë në avantazh me 0:2, në saje të golave që i shënuan Trajanovski dhe Petrov. Por, kur dukej se vendësit do të pësonin humbje, ata u motivuan për një lojë më të bukur dhe më të angazhuar, kështu që arritën që brenda dy-tre minutave të shënojnë dy herë dhe ta barazojnë rezultatin.
Kështu, edhe Prishtina sikur Vardari, nuk «humbën gjë» nga kjo ndeshje e përsëritur. Sa u përket shikuesve, ata do të jenë ndarë më të kënaqur me reprizën, aktorë të së cilës ishin skuadrat e përtërira, sesa me ndeshjen që u pat zhvilluar para 15 ditëve”, kishte shkruar sportit i “Rilindjes” me 30 qershor, 1986.
Prishtina – Vardari 2:2
Stadiumi i qytetit.
Spektatorë 2500.
Moti me shi, fusha e rrëshqitshme.
Referoi Trajçe Maxhoski i Prilepit.
Realizatorë: Trajanovski në minutën 22, Petrov 65’ për Vardarin, ndërsa Kuhtim Shala 68’ dhe Tovërlani në atë 70-tën për Prishtinën.
Kartoni i verdhë: Morina - Kanalilarovski.
Prishtina: Rade Stevanoviq 6, Shefqet Sinani 6 (Shpend Abrashi), Arbnor Morina 6, Sahit Kelmendi 7, Skënder Shengyli 7, Fadil Berisha 7, Arsim Meha 6 (Luan Dërmaku), Afrim Tovërlani 6, Kujtim Shala 7, Rafet Prekazi 6 dhe Miodrag Qirkoviq 6.
Vardari: Groshev 7, Jovanovski 6, Kanalilarovski 6, Trajçevski 7, Janevski 6, Najdovski 6, Trajanovski 7, Anastatovski 6 (Mishevski), Petrov 7, Saveski 6 (Babunski 7) dhe Boshkovski 6.