Pep Guardiola u ka komunikuar lojtarëve të Manchester City se do të largohet nga skuadra pas ndeshjes së fundit të sezonit, duke mbyllur një epokë historike në “Etihad”.
Sipas raportimeve të “SunSport”, trajneri spanjoll zhvilloi një telefonatë urgjente gjatë natës me futbollistët, ku konfirmoi personalisht largimin e tij. Guardiola thuhet se ka mbetur shumë i zemëruar nga fakti që lajmi u publikua në medie vetëm pak orë para sfidës vendimtare ndaj Bournemouth-it.
“Pep ishte i tërbuar nga koha kur doli lajmi. Ai mblodhi lojtarët në një telefonatë nate dhe u kërkoi falje për mënyrën se si u zbulua gjithçka”, citojnë burimet pranë klubit.
Futbollistët e City-t kishin marrë sinjale deri të shtunën se Guardiola do të qëndronte edhe një sezon tjetër, ndaj vendimi i teknikut ka shkaktuar habi të madhe në dhomat e zhveshjes.
Guardiola, i cili ka ende edhe një vit kontratë, pritet të largohet pas ndeshjes së fundit të kampionatit anglez. Sfida ndaj Aston Villa-n do të jetë ndeshja e tij e 593-të dhe e fundit në stolin e ‘Qytetarëve’.
Gjatë periudhës së tij në Mançester, trajneri katalanas ka fituar 17 trofe madhorë, mes tyre gjashtë tituj të Premier League-s dhe trofeun historik të UEFA Champions League në vitin 2023. Vetëm pak ditë më parë, City fitoi edhe FA Cup pas suksesit ndaj Chelsea-t.