Champions League nuk përfaqëson vetëm fitime financiare për Milanin, por mbi të gjitha prestigj dhe forcë tërheqëse në merkato. Vetëm një Milan i rikthyer mes më të mirëve të Europës mund të bindë kampionë të mëdhenj të zgjedhin “San Siron” si destinacionin e radhës. Dhe drejtuesit kuqezi duket se kanë nisur të ndërtojnë një projekt ambicioz për sezonin e ardhshëm.
Leon Goretzka është emri më i nxehtë në shtëpinë kuqezi. Mesfushori gjerman, i cili pritet të largohet nga Bajern Mynih në fund të sezonit, ka arritur prej javësh një marrëveshje paraprake me Milanin, por gjithçka mbetet e lidhur me kualifikimin në Champions League. Sipas raportimeve nga Italia, Goretzka ka pranuar një kontratë trevjeçare me pagë rreth 5 milionë euro në sezon. Madje, lojtari ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Masimiliano Alegrin, një sinjal i qartë se trajneri italian po ndërton personalisht projektin e ri të skuadrës.
Alegri kërkon futbollistë me eksperiencë ndërkombëtare dhe mentalitet fitues, ndërsa profili i Goretzkës përputhet perfekt me këtë ide. Gjermani vjen me një karrierë të mbushur me trofe, Champions League me Bajernin, shtatë Bundesliga, Superkupa dhe tituj të tjerë prestigjiozë. Në moshën 31-vjeçare, ai konsiderohet ende një lojtar që mund të bëjë diferencën në nivelet më të larta dhe Milani beson se mund të jetë lideri i ri i mesfushës.
Ideja e Milanit është të ndërtojë një repart mesfushe me eksperiencë, cilësi dhe personalitet. Një treshe me Adrien Rabiot, Luka Modriç dhe Leon Goretzka do ta kthente mesfushën kuqezi në një nga më të fortat dhe më konkurrueset në Serie A. Klubi beson se përvoja europiane e këtyre emrave mund ta ndihmojë Milanin të rikthehet protagonist edhe në Champions League, aty ku kuqezinjtë synojnë të rikthejnë lavdinë e viteve të arta.
Një tjetër lajm i madh për tifozët e Milanit lidhet me Luka Modriç. Kroati duket i destinuar të vazhdojë aventurën e tij në Milano edhe pas këtij sezoni. Në kontratën e veteranit ekziston një klauzolë për zgjatje edhe me një vit dhe drejtuesit kuqezi janë të gatshëm ta aktivizojnë menjëherë. Edhe në këtë rast, dy faktorët kryesorë janë të qartë: kualifikimi në Champions League dhe vazhdimësia e Alegrit në pankinë. Modriç ka qenë një nga liderët absolutë të skuadrës, jo vetëm për eksperiencën, por edhe për qëndrueshmërinë fizike.
Kroati ka zhvilluar një sezon me shumë minuta dhe vazhdon të mbetet një figurë kyçe në projektin kuqezi. Për 40- vjeçarin, ideja për të mbyllur karrierën në Champions League me fanellën e Milanit ka një domethënie të veçantë. Modriç është rritur duke admiruar sukseset historike të kuqezinjve në Europë dhe dëshiron ta përfundojë ciklin e tij legjendar duke mbrojtur këto ngjyra në skenën më të madhe.