Skuadra e Struga Trim & Lum me ndeshjen si mysafire sot ndaj Arsimi do ta mbyllë zyrtarisht sezonin 2025/26.
Me vendin e tretë të fituar, struganët përsëritën suksesin nga sezoni 2020/21, por nuk arritën të sigurojnë kualifikim në garat evropiane.
Besmir Bojku theksoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij planifikojnë të arrijnë te tri pikët dhe ta mbyllin sezonin me fitore.
“Presim një ndeshje të hapur dhe të bukur për tifozët. Kjo është ndeshja e fundit e sezonit dhe duam ta përfundojmë me paraqitje pozitive dhe rezultat të mirë”, deklaroi Bojku.
“Mendoj se gjatë sezonit kemi treguar shumë gjëra pozitive. Gjithmonë mundet më shumë, por nëse shihet rrjedha e kampionatit, vendi i tretë është rezultat që duhet vlerësuar”, theksoi Bojku.
Struga Trim Lum këtë sezon kishte sukses maksimal në përballjet me Arsimin.
“I kemi fituar dy ndeshjet e mëparshme kundër Arsimit dhe sigurisht futemi me vetëbesim. Do të japim maksimumin për ta arritur edhe fitoren e tretë dhe ta mbyllim sezonin me tri pikë”, porositi Besmir Bojku.
Ndeshja ndërmjet Arsimit dhe Struga Trim Lum luhet sot, me fillim nga ora 16:00, në stadiumin e qytetit në Gostivar.