Pas suksesit, Munishi jep vlerësimin e tij për ndeshjen

Futboll

Pas suksesit, Munishi jep vlerësimin e tij për ndeshjen

Më: 23 maj 2026 Në ora: 19:41
Ismet Munishi

Trajneri i skuadrës të Lirisë së Prizrenit, Ismet Munishi, ka dhënë një prononcim për KosovaPress pas ndeshjes derbi ndaj Dinamos të Ferizajit, ku skuadra e tij siguroi play-offin me një fitore bindëse me rezultatin 5-1.

Në deklaratën e tij, Munishi ka theksuar se rezultati nuk pasqyron realisht zhvillimin e lojës, duke vlerësuar kundërshtarin dhe organizimin e tij.

Munishi: Sot çdo gjë na ka shkuar përdore

“Po ishte një ndeshje derbi. Unë mendoj që rezultati nuk ka qenë real. Kemi pasur një kundërshtar shumë të fortë. Është bërë një ndeshje e mirë, por sot çdo gjë na ka shkuar përdore edhe me të vërtetë, unë i përgëzoj djemtë, por mund të them lirisht që Dinamo e ka pasur edhe posedimin e topit edhe sot, me thënë të drejtën, ky nuk është rezultati real që e kemi parë. Neve çdo top na u ka futur në gol, por kemi pasur një kundërshtar shumë të fortë përballë” – deklaroi Munishi.

Në lidhje me kundërshtarin, Munishi e vlerësoi kundërshtarin si një klub shumë të organizuar dhe e ka falënderuar për mikpritjen. Ai ka theksuar se ndeshja ishte e rëndësishme, fantastike dhe korrekte, duke shtuar se vetëm kështu mund të ecet përpara.

Munishi: Kundërshtari një klub jashtëzakonisht i organizuar

“Kundërshtari është me të vërtetë një klub jashtëzakonisht i organizuar, i falënderoj për mikpritje. Falënderoj presidentin, të gjithë, trajnerin, stafin, të gjithë për një pritje shumë të mirë. Ndeshja ka qenë e rëndësisë së veçantë, por me të vërtetë është bërë një ndeshje fantastike, fair, korrekte edhe ne vetëm kështu mundemi me shkuar përpara” – ka thënë Munishi.

Ndërkohë, foli për përgatitjet e ekipit të tij, dhe komentoi se cilat janë sfidat e barazhit.

Munishi: Jemi duke u përgatitur për barazh

“Mirë, mirë. Ne jemi duke punuar jashtëzakonisht mirë. Tash jemi duke u përgatitur edhe për barazh edhe çdo gjë është në rregull. Ato janë ndeshje të rëndësisë së veçantë, janë ndeshje të vështira edhe nuk i dihet asnjëherë’ – shtoi Munishi.

Ky prononcim vjen pas një ndeshjeje të rëndësishme ku Liria e Prizrenit siguroi play-offin me fitore ndaj Dinamos së Ferizajit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat