Serie A luan 90 minutat e fundit të sezonit 

Futboll

Serie A luan 90 minutat e fundit të sezonit 

Më: 24 maj 2026 Në ora: 18:21
Pamje nga ndeshja

Serie A do të luajë sot 90 minutat e fundit të sezonit, ku ende nuk janë vendosur zyrtarisht dy skuadrat që do t’i bashkohen Interit dhe Napolit në sezonin e ardhshëm në Champions League.

Milani, që ndodhet në vendin e tretë, do të presë Cagliari që ka shpëtuar nga rënia. Një fitore e kuqezinjve do të blindonte vendin e tretë dhe do të sillte biletën për në kompeticionin e rëndësishëm europian.

Edhe Roma i ka vetë në dorë fatet e saj, pasi një triumf kundër Veronës do ta rendiste në vendin e katërt të Serie A.

Dhe nëse Milani me Romën do të bënin detyrën, atëherë do të zhvlerësonin ndeshjet e dy skuadrave të tjera në garë për Champions, Juventusit dhe Comos. Bardhezinjtë do të luajnë derbin kundër Torinos me shpresën që të fitojnë dhe një prej skuadrave të mësipërme të ndalej për t’i parakaluar në renditje.

Më i vështirë është misioni i Comos që sfidon Cremoneses. Këta të fundit duan pikët për të mbijetuar mes më të mirëve të Italisë, në një duel në distancë me Leccen e Ramadanit që do të përballet me Genoan.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat