Një ditë pas shkarkimit të kupolës drejtuese të Milanit dhe trajnerit Masimiliano Allegri, klubi kuqezi nuk gjen paqe.
I vetmi i mbijetuar i kësaj furtune ishte Zlatan Ibrahimovic, këshilltar i pronarit të skuadrës Gerry Cardinale, ndërsa Igli Tare, Furlani dhe Monkada paguan faturën e dështimit për t’u kualifikuar në Champions.
Mirëpo tifozët kuqezinj kërkojnë një spastrim thelbësor në ekip duke vënë në qendër të kritikave edhe ish-sulmuesin suedez Ibrahimovic. Sipas tyre edhe ai duhet të largohet.
Madje tifozët i kanë dalë në krah dyshes Tare-Allegri me një banderolë në stadiumin “San Siro” duke i konsideruar zotërinj të vërtetë, ndërsa Ibra thonë tifozët është e keqja e Milanit.
Mediat italiane kanë zbuluar prapaskenat se suedezi kishte përgatitur prej kohësh largimin e trajnerit dhe drejtorit sportiv me takime të fshehta me pronarin e klubit.
Gjithçka nisi pas një debati të ashpër që ai pati me Masimiliano Allegrin dhe çoi në një krisje totale, e cila u pasua me krizë rezultatesh në fushën e lojës dhe në fund me mungesën e kualifikimit për në Champions.
Shkarkimet e trajnerit dhe drejtuesve do t’i kushtojnë Milanit 22 milionë euro.