Nuk ka më shumë se 21 vjeç, por është jashtëzakonisht i fortë në repartin e mbrojtjes.
Është prej talenteve më të mëdha të futbollit të Kosovës.
Synimet e tij janë të mëdha, një ditë të luajë edhe përtej kufijve në ndonjë klub të madh evropian.

Është pjesë e njërit prej klubeve më të organizuar në Kosovë, KF Dukagjini nga Klina.
Ai është jashtëzakonisht i lumtur që është pjesë e Dukagjinit, fitues i Kupës së Kosovës.
Synimi i tij është të ketë sa më shumë minuta loje.
Më 11 gusht të vitit 2023, media e njohur kroate “Slobodna Dalmacija” kishte shkruar për Shahinin: “Alpi Shahini po vjen në Hajduk, një mbrojtës i ri nga Kosova, duke ndjekur rrugën e shkelur me të cilën Hajduku solli talente nga ajo zonë, nga i njëjti klub nga i cili Ardian Ismajli dikur mbërriti në ‘Polud’.
Si Ismajli, përsëri një mbrojtës.

Klubi nga i cili vjen është KF 2 Korriku.
I riu Shahini, 18 vjeç, i lindur në vitin 2005, duhet të garojë për ekipin junior.
Ai është një vit më i madh se kroati Luka Vushkoviç, por i pari në ekipin junior për të treguar veten”.
Qendërmbrojtës dhe i gjatë 188 centimetra, inteligjenca dhe shtatlartësia i japin një përparësi të madhe në ajër në duel me sulmuesit rivalë dhe siguri ekipit. Këmba e preferuar e tij është e djathta.
Gjatë edicionit 2023–2024 ka qenë pjesë e klubit të madh kroat Hajduku, si lojtar i ekipit U-19, duke u përfshirë edhe në stërvitjet e ekipit senior.
Një periudhë ishte pjesë e klubit prishtinas KF 2 Korriku (2019–2023), ku u promovua në ekipin senior në moshën 17-vjeçare (2022). Ishte kampion i Kosovës në edicionet 2020–2021 dhe 2021–2022. Po ashtu, më herët ishte pjesë e Dinamos.
Alpi ka qenë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës për grupmoshat U15, U17 dhe U19.
Shahini synon të arrijë sa më lartë dhe, si gjithmonë, ka mbështetjen e prindit të tij Razimit, një dashamir i madh i futbollit dhe sportit në përgjithësi.