Pas mungesës së kualifikimit në Champions League, Juventusi mbyll një sezon pa asnjë kënaqësi dhe me një rilindje që tani bëhet edhe më e vështirë.
Administratori i deleguar i Juventusit, Damien Comolli, në një intervistë për mediat italiane, analizoi situatën që po kalon klubi bardhezi.
“Na dhemb shumë që nuk arritëm vendin e katërt dhe marr përgjegjësinë e plotë për këtë dështim. Duhet të përmirësohemi për t’u rikthyer fitues, për aksionerët dhe mbi të gjitha për tifozët.
Është zhgënjyese të mendosh se ishim pranë Champions-it dhe nuk ia dolëm. Nëse ndodhi kështu, do të thotë se diçka mungoi nga të gjithë ne dhe këto mangësi duhet të plotësohen patjetër”, tha administratori i deleguar i Juventusit, Damien Comolli.
Comolli foli edhe për raportin me trajnerin Luciano Spalletti, duke lënë të kuptohet se ekziston vullneti për të vazhduar projektin me teknikun italian edhe sezonin e ardhshëm.
“Kemi një raport shumë të mirë, si brenda klubit ashtu edhe në komunikimin mes nesh.
Spalletti na ka treguar tashmë lojtarët që dëshiron për sezonin e ardhshëm dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta kënaqur. Ishte zgjedhja ime për ta sjellë te Juventusi dhe pas shtatë muajsh jam ende i bindur se ai është njeriu i duhur për ta rikthyer skuadren në majë”, shtoi Comolli.
Në fund, administratori i Juventusit preku edhe çështjen e merkatos, duke siguruar tifozët se Kenan Yildiz do të mbetet pjesë e projektit bardhezi.
“Yildiz nuk largohet. Ai është e tashmja dhe e ardhmja e Juventusit, një lojtar shumë i rëndësishëm për ne.
Ndoshta do të duhet të shesim më shumë lojtarë nga sa kishim menduar, por nuk do të dobësohemi.
Nëse largohet dikush, do të vijë një lojtar i të njëjtit nivel ose edhe më i fortë”, përfundoi ai
Objektivi i drejtuesve mbetet ndërtimi i një Juventusi sërish fitues, me synimin për të arritur sa më larg në Europa League, që do të jetë një nga objektivat kryesorë të sezonit të ardhshëm.