Dinamo e rrëzon Lirinë, kualifikohet në finalen e barazhit

Futboll

Dinamo e rrëzon Lirinë, kualifikohet në finalen e barazhit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 29 maj 2026 Në ora: 17:51
Dinamo feston

Dinamo e Ferizajt ka siguruar finalen e barazhit në kërkim të elitës së futbollit të Kosovës, pasi triumfoi me rezultat 2:0 ndaj Lirisë nga Prizreni.

Ndeshja ndërmjet dy skuadrave të Ligës së Parë (Liria si e treta dhe Dinamo si e katërta) u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku rivaliteti ishte i madh që nga minuta e parë.

Rikthimi i trajnerit Burim Çerkini te Dinamo po del të jetë vendim i qëlluar, pasi skuadra ferizajase tregoi fytyrë krejt tjetër në duelin vendimtar. 

Image

Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me raste nga të dyja anët, por pa gola.

Momenti më i rrezikshëm për prizrenasit erdhi në minutën e 44-t, kur goditja e Yll Hoxha u ndal nga traversa, duke shpëtuar Dinamon nga disavantazhi.

Image

Momenti i golit të dytë

Në minutën e 62-të, Daniel Tette realizoi golin e epërsisë nga afërsia, duke goditur saktë në këndin e poshtëm të djathtë për 1:0.

Fitoren e vulosi Ardian Shaljani në minutën e 81-të, kur i pambuluar brenda zonës shënoi një gol të bukur në këndin e epërm të djathtë për rezultatin përfundimtar 2:0.

Dinamo tashmë pret kundërshtarin në finalen e barazhit, ku do të përballet me skuadrën që do ta përfundojë kampionatin në pozitën e tetë të Superligës së Kosovës. Finalja vendimtare për inkuadrim në elitë luhet më 6 qershor.

Për presidentin e klubit, Xhevat Rushiti, kjo fitore ka shije të veçantë, pasi Dinamo iu revanshua fuqishëm Lirisë për humbjen e rëndë 1:5 që kishte pësuar më herët në Ferizaj në kampionat.

Nga ana tjetër, trajneri Ismet Munishi dhe Liria largohen të zhgënjyer nga Klinë, duke mbetur edhe sezonin e ardhshëm pjesë e Ligës së Parë të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat