Skuadra e Llapit po kalon një periudhë jo të mirë në Superligën e Kosovës, situata mbetet tejet delikate sa i përket mbijetesës në elitëm pasi ndodhet në zonën e barazhit dhe përballet më 31 maj, në një ndeshje vendimtare ndaj Ferizajt. Ky duel pritet të jetë përcaktues për fatin e sezonit, pasi një rezultat negativ do ta rrëzonte Llapin nga Superliga, duke e dërguar në Ligën e Parë.
Presioni është maksimal mbi ekipin dhe stafin teknik, teksa çdo pikë tashmë ka peshë vendimtare. Përballja me Ferizajn konsiderohet si finale për Llapin, i cili synon me çdo kusht fitoren për të siguruar mbijetesën dhe për të shmangur rënien nga elita e futbollit kosovar.
Trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, duke folur për KosovaPress, ka vlerësuar ecurinë e skuadrës, duke theksuar se pavarësisht mungesave të rëndësishme, grupi ka funksionuar mirë si tërësi.
Batatina: Rikthimi i Krasniqit na ka ndihmuar shumë
“Nëse shohim skuadrën si ekip, gjërat e fundit mendoj që kanë shkuar jashtëzakonisht mirë. Edhe pse kemi pasur disa mungesa për shkak se sulmuesi kryesor, Muhamet Hyseni, i cili ka qenë i dëmtuar, por besoj do të thotë që edhe Edon Sadriu, kemi pasur po ashtu tri ndeshje që s’ka mundur të aktivizohet për shkak të dëmtimit. Por mendoj që skuadra ka funksionuar shumë mirë, ka vepruar shumë mirë. Rikthimi i Ilir Krasniqit mendoj që na ka ndihmuar shumë gjërat e fundit. Pastaj, parasysh po e shohim që është edhe një prej aktorëve kryesorë në lojë, që na, do të thotë, kemi marrë edhe gjashtë pikë të rëndësishme” – ka thënë Batatina.
Megjithatë, tekniku llapjan nuk ka fshehur problemet që ekipi ka hasur gjatë sezonit, sidomos në repartin ofensiv.
Batatina: Mangësia kryesore e skuadrës së Llapit ishte lëvizja e sulmuesit
“Mendoj që mangësia kryesore e skuadrës së Llapit ishte… kam potencuar disa herë, do të thotë, kur ne bëmë lëvizjen për sulmuesin kryesor. Gnapi, i cili ka qenë lojtar i cili ka ndihmuar shumë skuadrën e Llapit, por asnjëherë si trajner nuk preferoj që ndoshta t’i dëmtoj lojtarët, t’ia ndal karrierën dhe ta ndal te Llapi” – shtoi Batatina.
Batatina foli edhe për rikthimin e Muhamet Hysenit dhe mungesën e vazhdimësisë së tij në formë.
Batatina: Defekti ishte edhe Muhamet Hyseni
“Mendoj që ky ka qenë ai defekti më i madh, për arsye se ne sollëm si rikthim, morëm hua Muhamet Hysenin, por Muhamet Hyseni nuk kishte luajtur thuajse një kampionat, nuk kishte vazhdimësi te kampionati te Horsensi në Danimarkë” – deklaroi Batatina.
Trajneri theksoi se përforcimi në sulm erdhi vonë, por ka dhënë efekt në ndeshjet e fundit.
Batatina: Pjesa e cila na ka çaluar si skuadër, ishte pjesa e sulmit
“Pjesa e cila na ka çaluar si skuadër, si ekip, ishte pjesa e sulmit. Por Fiton Ademin, e morëm nga Shkëndija, një djalë i cili po tregon performancë të mirë. Por, ishte shumë vonë. Na ndihmoi shumë derisa u adaptua me skuadrën, me ekipin, në gjërat e fundit. Besoj, do të thotë, që ndoshta ajo pjesë na ka penalizuar” – shtoi Batatina.
Ndër të tjerash, Batatina, ka shprehur pakënaqësi ndaj referimit këtë sezon, duke theksuar se skuadra e tij është dëmtuar në disa ndeshje nga vendimet e arbitrave. Ai shtoi se sipas analizave të klubit, Llapi ka humbur rreth 10 pikë në kampionat për shkak të këtyre vendimeve.
Batatina: Për pjesën e referimit, unë s’kam qenë i kënaqur
“Për pjesën e referimit, mendoj, do të thotë, që ato veçse vetë kryetari i Federatës, e kam dëgjuar në një deklaratë, kur e ka dhënë Agim Ademi, ka thënë që s’kam qenë i kënaqur këtë vit me pjesën e arbitrimit. Të njëjtën gjë, do të thotë, në shumë momente, edhe unë s’kam qenë i kënaqur me atë pjesë, ku kemi pasur shumë momente delikate. Nuk… askush nuk e thotë që kanë qenë të qëllimshme, se nganjëherë po e shohim edhe në Evropë, arbitrat gabojnë, bëjnë gabime. Por, nëpër shumë ndeshje, do të thotë, ne kemi ngritur zërin, jemi dëmtuar si skuadër, si ekip. Mund të them, koxha, koxha, po të paktën jemi 10 pikë… ato që kemi bërë analizën bashkërisht, jemi 10 pikë të dëmtuar në kampionat” – tha ai.
Në fund, kreu i stolit të Llapit ka hedhur poshtë çdo diskutim për rënien e Llapit nga Superliga, duke theksuar se një skenar i tillë nuk funksionon për të. Ai është shprehur i bindur në cilësinë dhe organizimin e skuadrës.
Batatina: E them sot që Llapi 99% nuk është pjesë e barazhit
“Ajo pjesë nuk funksionon te unë si trajner. Ajo pjesë nuk funksionon, që Llapi me rënë, se s’diskutohet. Për arsye se Llapi ka potencial me i luajtur edhe tri-katër ndeshje dhe me i arritur objektivat, me fituar. Thashë, një skuadër të madhe e bën organizimi i madh, një skuadër solide e bën një organizim i mirëfilltë. Unë mendoj që Llapi ka një organizim të mirëfilltë, pa marrë parasysh me kë do të ndeshet. Është një skuadër cilësore, i respektojmë të gjithë kundërshtarët që do t’i kemi, nëse, por besoj që Llapi nuk do të jetë pjesë e barazhit. E them sot që Llapi 99% nuk është pjesë e barazhit, Llapi nuk është pjesë e play-off-it. Por, mbetet, thashë, ndeshja e fundit. Nëse në ndeshjen e fundit Llapi merr tri pikë, nuk do të jetë pjesë e… e play-off-it. Unë besoj fuqishëm që djemtë e dinë që është ndeshje vendimtare në Ferizaj. Dhe nëse ne e fitojmë këtë ndeshje, do të thotë, besoj që matematikisht Llapi do të dalë nga ajo zonë e rrezikut” – përfundoi Batatina.
Me formën aktuale dhe rikthimin e disa lojtarëve kyç, Llapi synon të luftojë për mbijetesën në Superligë, e cila vendoset në përballjen me Ferizajn, që do të zhvillohet më 31 maj, duke filluar nga ora 16:00, në stadiumin e qytetit në Ferizaj.