Kosova futet me synim për të treguar paraqitje të mirë

Futboll

Kosova futet me synim për të treguar paraqitje të mirë

Më: 31 maj 2026 Në ora: 13:21
Kombëtarja e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar dje stërvitjen zyrtare në stadiumin “epet ARENA” në Pragë, në prag të ndeshjes miqësore kundër Republikës së Çekisë, e cila zhvillohet sot nga ora 16:00.

Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët dardanë i dhanë dorën e fundit përgatitjeve për këtë sfidë, duke punuar me përkushtim maksimal dhe në atmosferë shumë pozitive.

Në konferencën për media të mbajtur para stërvitjes zyrtare, përzgjedhësi Franco Foda theksoi se, pavarësisht mungesave, Kosova do të futet në këtë ndeshje me synim për të treguar paraqitje të mirë, lojë të guximshme dhe qasje sulmuese.

“Ne duam thjesht të tregojmë se mund të qëndrojmë dhe të konkurrojmë edhe kundër skuadrave shumë të mira.

Edhe pse kemi disa mungesa të rëndësishme dhe bëhet fjalë vetëm për ndeshje miqësore sigurisht që nesër do të përpiqemi ta fitojmë këtë sfidë dhe të tregojmë paraqitje të mirë. Ne duam të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme në shtator dhe për këtë arsye pres nga skuadra ime paraqitje të guximshme dhe me kurajë që nga minuta e parë", u shpreh Foda.

Përzgjedhësi gjerman vlerësoi lart kundërshtarin e radhës, duke theksuar se Republika e Çekisë është një ekip me cilësi dhe përvojë, por shtoi se Kosova duhet të shfaqë në fushë punën e bërë gjatë ditëve të fundit.

“Kemi afruar edhe disa lojtarë të rinj dhe që nga e mërkura jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje.

Stërvitjet kanë qenë shumë të mira. Kemi punuar me intensitet të lartë dhe jemi përgatitur mirë taktiksht për kundërshtarin dhe tani do të jetë e rëndësishme që nesër këtë ta zbatojmë në fushë”, theksoi Foda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat