Kur kanë mbetur edhe 8 ditë nga fillimi i Kampionatit Botëror, kanë nisur polemikat e para në kombëtaren franceze.
Lojtarët kanë mbetur të pakënaqur nga fakti që Federata e Futbollit u ka vënë në dispozicion 8 bileta për këtë event madhor.
Për më tepër, vetëm 2 prej tyre do t’i kenë falas dhe 6 të tjerat duhet t’i paguajnë.
Lajmin e konfirmoi presidenti i federatës, Filip Dialo, gjatë një takimi që pati me lojtarët, ndërsa ata mbetën të zhgënjyer për shkak se në SHBA do të marrin me vete familjarët dhe miqtë e tyre, të cilët nuk do të kenë mundësi të futen në stadium.
Por kjo nuk është polemika e vetme në kampin francez, pasi federata ka vendosur që të ulë ndjeshëm edhe premiot për futbollistët gjatë këtij Botërori.
Sipas informacioneve, kostot e shumta që do të ketë grumbullimi në SHBA kanë bërë që institucioni më i lartë i futbollit në Francë të rishikojë bonuset për kombëtaren.
Franca është pjesë e grupit I të këtij Botërori bashkë me Senegalin, Norvegjinë dhe Irakun.