Argjentina është në alarm, pasi mund të humbasë një nga lojtarët më cilësorë të kësaj përfaqësueseje.
Mesfushori ofensiv Niko Paz, raportohet se rrezikon të mbetet jashtë pasi nuk ka rikuperuar nga dëmtim dhe Federata ka vënë në gjendje gatishmërie zëvendësuesin e tij të mundshëm.
Lojtari i Komos u dëmtua në ndeshjet e fundit të sezoni në Serinë A, ku kishte qenë padyshim një nga yjet më të shndritshëm. Edhe loja e Argjentinës pritej të bazohej shumë te aftësitë e tij, si një alternativë e rëndësishme e fantazisë në mesfushë përveç të zakonshmit Mesi.
Por situata e tij tashmë përshkruhet si e komplikuar dhe te Argjentina nuk janë të sigurt se ai mund të bëhet gati në kohë. Ndaj Federata ka kontaktuar Emiliano Buendia të Aston VIlës, si një lojtar i cili mund ta zëvendësojë në mënyrën më të mirë të mundshme në fazën ofensive.
Për Niko Paz do të pritet deri në ditën e fundit, para debutimit në turne, siç lejojnë rregulloret e FIFA-s. Por tashmë prania e tij në Botëror duket realisht në rrezik.