Dështimi i transferimit të Ngumohas te Bayerni

Futboll

Dështimi i transferimit të Ngumohas te Bayerni

Më: 6 qershor 2026 Në ora: 17:55
Rio Ngumoha

E ardhmja e talentit të ri Rio Ngumoha nuk ndikon vetëm te klubi i tij aktual, Liverpooli, por mund të shkaktojë edhe një efekt zinxhir në planet e merkatos së Arsenalit dhe Manchester Unitedit.

Të premten (5 qershor), u raportua se Ngumoha ishte objektiv surprizë i kampionëve të Bundesligës, Bayern Munichut, të cilët kërkojnë të forcojnë krahun e majtë të sulmit, pavarësisht formës së mirë të Luis Díazit, i cili ndihmoi ekipin të fitonte dopietën vendase në sezonin e tij të parë në Gjermani.

Sipas gazetarit David Ornstein nga “The Athletic”, 17-vjeçari është objektivi kryesor i Bayernit, edhe pse Liverpooli ka bërë të qartë se nuk është në shitje.

Ngumoha, i cili ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2028, është informuar për interesimin e Bayernit teksa ndodhet në Florida duke mbështetur skuadrën e Kupës së Botës të drejtuar nga Thomas Tucheli.

Sezonin e kaluar ai zhvilloi 31 ndeshje për Liverpoolin, duke shënuar dy gola dhe dhuruar një asistim.

Paraqitjet e tij ishin ndër pikat e pakta pozitive në një sezon zhgënjyes për klubin nën drejtimin e tashmë të larguarit Arne Slot.

Megjithatë, gazetari gjerman Florian Plettenberg raportoi më vonë se një marrëveshje e mundshme mes Bayernit dhe Ngumohas ka “dështuar”, pavarësisht një “marrëveshjeje verbale”, pasi Liverpooli ka mbetur i palëkundur në qëndrimin e tij se lojtari nuk shitet.

Plettenberg shkroi në “X”: “Ka pasur telefonata, takime dhe biseda direkte mes Vincent Kompany dhe Ngumohas”.

Pasi Bayern humbi mundësinë për të nënshkruar me Anthony Gordonin, i cili ndërkohë iu bashkua Barcelonës, klubi bavarez ka identifikuar objektiva të rinj.

Sipas raportimeve, tani po shqyrtohen Nathaniel Browni i Eintracht Frankfurtit dhe Ismael Saibari i PSV Eindhovenit.

Browni, i cili është përshkruar nga trajneri i Gjermanisë Julian Nagelsmann si “një nga mbrojtësit e majtë më të talentuar”, ndiqet gjithashtu nga Arsenali dhe Manchester Unitedi.

Vlera e tij llogaritet mes 50 dhe 60 milionë paundësh.

Ai ka treguar cilësi si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, duke regjistruar 81 ndërhyrje të suksesshme sezonin e kaluar – më shumë se çdo lojtar tjetër në Bundesligë.

Browni ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar 13 asistime në 75 paraqitje për Frankfurtin dhe ka kontratë deri në vitin 2030.

Ai është përfshirë gjithashtu në listën prej 26 lojtarësh të Gjermanisë për Botërorin 2026 dhe pritet të ketë rol në turne.

Manchester Unitedi e sheh Brownin si alternativë ndaj Lewis Hallit të Newcastle Unitedit, ndërsa interes po tërheq edhe Alejandro Balde i Barcelonës.

Kur u pyet për të ardhmen e tij javën e kaluar, Browni insistoi se fokusi i tij është vetëm te Kupa e Botës.

“Sigurisht që i lexoj këto spekulime, por tani dua të fokusohem te Kupa e Botës,” tha ai.

“Do të shoh çfarë ndodh më pas. Për momentin i gjithë fokusi im është te Kupa e Botës. Ndihem shumë mirë, edhe në qytet. Kam miq atje. Jam ambientuar plotësisht dhe po e shijoj shumë”, e mbylli ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat