Kanë nisur punimet për renovimin e stadiumit “Air Albania”, me fokus të veçantë në përmirësimin e fushës së gjelbër.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur të zëvendësojë tërësisht tapetin aktual të stadiumit.
Sipas mediave në Shqipëri, vendimi për këtë investim është miratuar pak javë më parë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, i cili ka aprovuar fondet e nevojshme për rinovimin e fushës në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian U-21, që do të organizohet vitin e ardhshëm nga Shqipëria dhe Serbia.
Përfaqësuesit e futbollit shqiptar e konsiderojnë këtë projekt si një hap të rëndësishëm për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga UEFA për organizimin e një eventi të këtij niveli.
Fusha e stadiumit “Air Albania” ka qenë shpesh objekt kritikash nga trajnerë, futbollistë dhe specialistë të futbollit, të cilët në raste të ndryshme kanë ngritur shqetësime për gjendjen e saj.
Megjithatë, me ndërhyrjen e fundit, drejtuesit e FSHF-së synojnë të eliminojnë përfundimisht problemet që kanë shoqëruar këtë segment të stadiumit.