Dren Zeqiri i mbetet besnik klubit më të madh në vendin tonë, Prishtinës.
Futbollisti ka zgjatur kontratën deri në vitin 2029, FC Prishtina e ka bërë të ditur marrëveshjen me lojtarin.
“Dren Zeqiri do të vazhdojë të jetë pjesë e FC Prishtinës deri në vitin 2029, pasi ka vazhduar bashkëpunimin me klubin edhe për tri sezone të tjera.
Mesfushori 22-vjeçar shpërblehet pas një sezoni debutues shumë të suksesshëm me fanellën bardhekaltër, ku u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Që në vitin e tij të parë te Prishtina, Zeqiri la gjurmë me paraqitjet e tij në mesin e fushës, duke spikatur me energjinë, angazhimin dhe cilësitë e tij në të dy fazat e lojës. Ai zhvilloi 28 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me 2 gola dhe 3 asistime.
Përveç kontributit të drejtpërdrejtë në sulm, Zeqiri ishte një ndër futbollistët me kilometrat më të shumtë të përshkuar në
Superligën e Kosovës, duke dëshmuar rëndësinë dhe ndikimin e tij në lojën e ekipit gjatë gjithë sezonit.
Vazhdimi i bashkëpunimit me Drenin është një tjetër hap i rëndësishëm në ruajtjen e boshtit të skuadrës, ndërsa presim që ai të vazhdojë zhvillimin dhe paraqitjet e tij të mira me fanellën e FC Prishtinës edhe në sezonet e ardhshme”, ka njoftuar FC Prishtina.