Modriç: Pak e preka Madueken, mjaftoi për penallti

Futboll

Modriç: Pak e preka Madueken, mjaftoi për penallti

Nga: K.G. Më: 18 qershor 2026 Në ora: 13:28
Luka Modriç

Botërori i pestë për mjeshtrin e futbollit, Luka Modriç, nuk nisi në mënyrën e dëshiruar.

Mesfushori kroat shkaktoi penallti në ndeshjen ndaj Anglisë, ndërsa Kroacia u mposht pas një beteje të madhe me rezultatin 4:2.

Kroacia u rikthye dy herë në rezultat falë aksioneve të bukura për golat e barazimit 1:1 dhe 2:2, por në pjesën e dytë nuk patën forcë të ndiqnin ritmin e lartë të anglezëve.

“Në pjesën e parë ndeshja ishte e barabartë.

Pësuam gola të lehtë, por arritëm të ktheheshim dy herë në lojë. Fatkeqësisht pranuam golin e tretë dhe ai na vrau.

Nuk kishim më forcë të riktheheshim për herë të tretë”, tha Modriç  për agjencinë kroate ‘Hina’.

Duke komentuar penalltinë e shkaktuar ndaj Noni Madueke, kapiteni kroat pranoi se kishte kontakt.

“E preka pak, aq sa të akordohej penalltia. Nuk e pashë mirë në momentin e aksionit, por çfarë është bërë, është bërë”, u shpreh ai.

Goditjen e parë nga pika e bardhë të Harry Kane e priti portieri Dominik Livakoviq, por penalltia u përsërit pasi arbitri konstatoi se ai kishte dalë para vijës së portës me të dyja këmbët.

“Më thanë se kishte dalë pak përpara. Nuk e kam parë ende incizimin.

Ndonjëherë shikohet çdo detaj e çdo centimetër, ndonjëherë jo.

Është për të ardhur keq, por nuk mund të komentoj më shumë pa e parë situatën.

Nuk e di nëse ishte vërtet për t’u përsëritur apo jo”, tha Modriç.

Megjithatë, ai beson se asgjë nuk ka përfunduar për Kroacinë në këtë Botëror. Skuadra e drejtuar nga Zlatko Daliç  do të përballet të mërkurën me Panama në Toronto.

“Kemi gjashtë ditë kohë për t’i korrigjuar gabimet. Jam i sigurt se do ta bëjmë dhe se do të jemi shumë më të mirë në ndeshjen e ardhshme”, përfundoi Modriç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat