Carragher këshillon Tuchel-in: Rice duhet të luajë, Saka të mos rrezikohet

Futboll

Carragher këshillon Tuchel-in: Rice duhet të luajë, Saka të mos rrezikohet

Më: 23 qershor 2026 Në ora: 16:40
Saka e Rice

Ish-mbrojtësi i Anglisë, Jamie Carragher, ka këshilluar trajnerin Thomas Tuchel që të aktivizojë Declan Rice në ndeshjen e rëndësishme ndaj Ganës, por të mos nxitojë me rikthimin e Bukayo Saka.

Rice u zëvendësua në minutën e 72-të në fitoren 4:2 ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Grupit L, por më vonë konfirmoi se bëhej fjalë vetëm për menaxhimin e një problemi të vjetër në tendinën e pasme të kofshës dhe jo për një lëndim serioz.

Sipas Carragherit, mesfushori i Arsenalit është shumë i rëndësishëm për Anglinë dhe nuk duhet të pushohet në një ndeshje me peshë si ajo ndaj Ganës.

“Nuk pushon lojtarë kur je në Kupën e Botës. Nëse Anglia fiton ndaj Ganës dhe siguron vendin e parë në grup, atëherë mund të mendosh për rotacione në ndeshjen e tretë. Nuk mendoj se je në situatë për ta lënë jashtë Declan Rice”, deklaroi Carragher.

Ai shtoi se largimi i Rice nga fusha kundër Kroacisë ishte më shumë një masë paraprake sesa pasojë e një lëndim.

Në anën tjetër, ish-futbollisti anglez mendon se Anglia duhet të jetë më e kujdesshme me Sakan, i cili ende po rikuperohet plotësisht pas problemeve fizike që e kanë shoqëruar muajt e fundit.

“Fakti që Saka nuk e nisi ndeshjen e parë tregon se situata e tij është më delikate se ajo e Rice. Nuk duhet rrezikuar, sepse Anglia nuk dëshiron ta humbasë për pjesën tjetër të turneut”, theksoi ai.

Sipas raportimeve, Tuchel pritet t’i besojë sërish Noni Madueke nga minuta e parë në krahun ofensiv, ndërsa ende po shqyrton disa ndryshime në formacion për sfidën ndaj Ganës.

Një fitore e Anglisë ndaj përfaqësueses afrikane do t’i siguronte “Tre Luanëve” kualifikimin në fazën eliminatore dhe do t’i afronte shumë pranë vendit të parë në Grupin L.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat