Tensione në Hajvali, tifozët përplasen pas ndeshjes Vushtrria - Drita

Futboll

Tensione në Hajvali, tifozët përplasen pas ndeshjes Vushtrria - Drita

Më: 30 gusht 2026 Në ora: 19:52
Pamje

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar ndeshja mes Vushtrrisë dhe Dritës, e vlefshme për xhiron e tretë të Superligës së Kosovës.

Përballja në fushë nuk solli edhe aq momente të mira futbolli, me ndeshjen që përfundoi 1-0 në të mirë të kampiones në fuqi të Kosovës, Dritës.

Arb Manaj shënoi për 1-0 në minutën e 77-të, për t’ia dhënë tri pikët Dritës në përballjen e sotme.

Tensione pati jashtë fushës, gjatë tërë ndeshjes pothuajse.

Në pjesën e parë, pa paralajmëruar, tifozëria e Dritës, “Intelektualët” u fut në stadiumin në Hajvali, teksa “Forca” e Vushtrrisë tentoi t’i sulmojë.

Mirëpo, për të shmangur përplasjet fizike ndërhyri Policia e Kosovës dhe situata në vazhdim u qetësua.

Në fund, pasi u mbyll ndeshja, tifozëria vushtrriase u fut në fushë dhe tentoi të sulmojë tifozërinë gjilanase, por prapë ndërhynë forca policore të Kosovës.

Vushtrria s’e ka fituar asnjë pikë të vetme në tri ndeshjet e para, duke pësuar tri humbje, derisa Drita ka dy fitore nga dy ndeshje – me takimin ndaj Prishtinës që është shtyrë shkaku i ndeshjeve të Dritës në Evropë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat