Jose Mourinho ka komentuar vendimin e Lionel Messit për t’u tërhequr nga kombëtarja e Argjentinës.
Trajneri portugez, i cili është përballur shumë herë me Messin gjatë karrierës së tij, i dha një vlerësim të madh karrierës së tij pasi fituesi tetë herë i Topit të Artë njoftoi se nuk do të luajë më për Argjentinën.
Kapiteni i Argjentinës, i cili në vitin 2022 e udhëhoqi vendin e tij drejt titullit të kampionit të botës, në moshën 39-vjeçare ka konfirmuar përfundimin e karrierës së tij me kombëtaren.
Vendimin e bëri publik të hënën në rrjetet sociale, duke i dhënë fund një epoke që kishte nisur me debutimin e tij në vitin 2005.
Messi ka zhvilluar 207 ndeshje për Argjentinën dhe ka shënuar 125 gola, duke qenë rekordmeni i kombëtares.
Mourinho, i cili është përballur shpesh me Messin si trajner i Chelseat dhe Real Madridit, iu përgjigj drejtpërdrejt postimit të tij në Instagram.
“Urime për një karrierë të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme me kombëtaren. Kupa e Amerikës e ardhshme dhe Kupa e Botës nuk do të jenë të njëjta.”, shkroi trajneri portugez.
Messi pranoi se vendimi ishte jashtëzakonisht i vështirë për të, por e mori atë për t’u krijuar hapësirë një gjenerate të re futbollistësh.
“Koha fluturon, kapitujt mbyllen dhe kjo më dhemb veçanërisht.
E dua, e kam dashur dhe gjithmonë do ta dua të jem pjesë e kombëtares. Kam dhënë gjithçka nga vetja, nuk kam më çfarë të jap, dhe përveç kësaj, po vijnë lojtarë të rinj fantastikë që meritojnë një mundësi.”, shpjegoi Messi në deklaratën e tij.