Tifozi i Ajaxit sulmohet brutalisht për një shall

Futboll

Tifozi i Ajaxit sulmohet brutalisht për një shall

Më: 1 shtator 2026 Në ora: 15:26
Pamje

Policia është vënë në kërkim të dy personave të dyshuar për përfshirjen në një sulm të rëndë ndaj një tifozi të Ajaxit.

Ngjarja ka ndodhur pas ndeshjes së Ajaxit kundër Go Ahead Eagles, më 17 janar, në afërsi të “Johan Cruijff ArenA” në Amsterdam.

Pas përfundimit të ndeshjes, një grup prej tre tifozësh po ecte pranë stadiumit kur dy persona të tjerë iu afruan.

Sipas policisë, njëri prej tyre e kishte vënë re shallin e Ajaxit që ishte shpërndarë falas para ndeshjes dhe kishte kërkuar t’ia merrte, përcjell “Gazeta Express”.

Policia bën të ditur se personi e kërkoi shallin dhe më pas shpërtheu një përplasje.

Njëri prej tifozëve të Ajaxit përfundoi në tokë, ndërsa shalli iu hoq nga qafa.

“Dua një të tillë për fëmijët e mi”, raportohet se ka thënë njëri prej dy personave, sipas policisë.

Dyshja më pas u largua me vrap, duke e marrë me vete shallin e vjedhur.

Por, tre tifozët e Ajaxit nuk vendosën ta linin me kaq.

Ata u vunë në ndjekje të dy personave, me synimin për ta rikthyer shallin, dhe pak më vonë arritën t’i kapnin.

Një tjetër përballje mes dy palëve shpërtheu dhe situata u shndërrua në një përleshje fizike.

Sipas policisë, njëri prej tre tifozëve të Ajaxit u sulmua rëndë. Ai mori goditje të forta, përfshirë edhe shkelma në kokë.

Si pasojë e dhunës, tifozi pësoi tronditje në tru dhe iu thyen disa dhëmbë. Policia tashmë ka publikuar pamje të sulmit të rëndë dhe është vënë në kërkim të dy personave të përfshirë.

Ata dyshohen për dhunën që e pasoi konfliktin e nisur për shkak të shallit të Ajaxit.

Hetuesit po e kërkojnë ndihmën e publikut për identifikimin e dy personave që shfaqen në pamjet e publikuara..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat