PSG-ja ia shkëputi kontratën

Futboll

PSG-ja ia shkëputi kontratën

Më: 2 shtator 2026 Në ora: 11:53
Stadiumi

Dikur konsiderohej si njëri prej talentëve më të mëdhenj në Evropë, por Renato Sanches tashmë është pa skuadër në moshën 29-vjeçare.

Sipas raportimeve nga Portugalia, PSG-ja ka vendosur ta ndërpresë kontratën me mesfushorin portugez, përcjell “Gazeta Express”.

Pavarësisht se e kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin francez, 32-herë reprezentuesi i Portugalisë tashmë është në kërkim të një klubi të ri, pasi e kishte humbur vendin në planet e PSG-së.

Në periudhën e fundit, PSG-ja e dërgoi Sanchesin në huazim për tri sezone radhazi, te Roma, Benfica dhe Panathinaikos.

Megjithatë, ai nuk arriti të linte gjurmë të qëndrueshme në asnjërin prej këtyre klubeve dhe e nuk fitoi një transferim të përhershëm.

Tash për tash, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, ndonëse së fundmi është përmendur Bundesliga dhe një transferim i mundshëm te Union Berlini.

Sanches shpërtheu në skenën evropiane gjatë Euro 2016, ku u shfaq si një prej talenteve më premtuese të futbollit.

Në të njëjtin vit, ai e fitoi çmimin “Golden Boy”, si lojtari më i mirë U21 në Evropë.

Performancat e tij e bindën Bayern Munichun që t’i paguante rreth 35 milionë euro për ta transferuar nga Benfica.

Megjithatë, në Munich ai nuk arriti kurrë të vendosej si titullar i rregullt.

Më pas erdhi një huazim te Swansea City, përpara se Lille ta transferonte përfundimisht në vitin 2019 për rreth 20 milionë euro.

Tri vjet më vonë, Sanches u transferua te PSG-ja, por edhe në Paris nuk arriti ta siguronte një vend të qëndrueshëm në formacion.

Në total, ai i zhvilloi vetëm 27 paraqitje për PSG-në, përpara se ta niste një seri huazimesh dhe problemesh që e larguan gjithnjë e më shumë nga planet e klubit.

Tani, në moshën vetëm 29-vjeçare, ish-fituesi i “Golden Boy” është sërish në kërkim të një klubi të ri pasi do të jetë lojtar i lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat