Lautaro: Dolëm me kokën lart nga fusha

Futboll

Lautaro: Dolëm me kokën lart nga fusha

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 00:00
Lautaro Martínez

Lautaro Martínez këmbëngul se Interi “largohet me kokën lart” pas humbjes 2-1 ndaj Real Madridit.

“Luajtëm në të njëjtin nivel, të dyja skuadrat duan ta fitojnë Ligën e Kampionëve”, tha ai.

Ishte një mbrëmje zhgënjyese në “Bernabéu”, pasi zikaltrit dominuan për periudha të gjata, por u ndëshkuan për dy gabime të turpshme.

Një pasim i gabuar i Curtis Jones i dha mundësinë Kylian Mbappés të dilte i vetëm përballë portës, ndërsa Josep Martínez bëri një gafë të madhe duke tentuar të driblonte Federico Valverden vetëm gjashtë metra larg portës.

Carlos Augusto arriti të shënonte një gol për Interin në fund, duke përfituar nga asistimi i Lautaro Martínez, ndërsa pati shumë raste në të dyja anët, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 2-1.

“Vazhdojmë ta përsërisim se ky është një kompeticion ku detajet janë vendimtare dhe kur bëni gabime, e paguani çmimin”, tha Lautaro Martínez për “Sky Sport Italia”.

“E nisëm mirë, kontrolluam posedimin, e mbajtëm topin, por dy gabime kaq herët që sollën dy golat e tyre e bëjnë situatën më të vështirë. Real Madrid është një skuadër e nivelit të lartë, por Interi erdhi këtu sot dhe luajti me karakter, vendosmëri dhe tregoi se në çfarë niveli mund të luajmë. Real Madridi do të luftojë për ta fituar Championsin, ashtu si edhe ne, sepse ky është objektivi ynë. Çdo kompeticion që nisni me këtë fanellë mbi shpinë duhet të jetë një objektiv”, tha ai.

Reprezentuesi i Argjentinës kishte një gërvishtje në fytyrë pas një përplasjeje me Dean Huijsenin në fund të ndeshjes, ku të dy lojtarët u ndëshkuan me karton të verdhë për përplasjen.

“Ky është zhgënjimi, sepse i lejuam ata të luanin vetëm në kundërsulme, pasi kanë dy sulmues jashtëzakonisht të shpejtë, por ne nuk arritëm të përfitonim nga të gjitha rastet që krijuam”, vazhdoi kapiteni i Interit.

“Ende them se largohemi këtu me kokën lart, sepse luajtëm në nivel të lartë ndaj një kundërshtari të madh. Courtois është një nga portierët më të mirë në botë, por edhe ne duhet të përmirësohemi para portës dhe mund të kishim bërë më mirë. Duhet të punojmë te detajet, sepse kjo ishte ndeshja e parë, ka ende një rrugë të gjatë përpara nesh dhe duhet të marrim fitoren në ndeshjen e ardhshme”, shtoi ai.

Statistikat në fund të ndeshjes treguan qartë dominimin e Interit, me zikaltrit që patën 61 për qind të posedimit dhe kompletuan 596 pasime, kundrejt vetëm 313 pasimeve të vendasve, por gabimet e bëra ishin shumë të mëdha për t’u injoruar.

“Me Real Madridin që luante me katër mbrojtës, nuk kishte shumë hapësirë në qendër, ndaj duhej të kishim shtyrë më shumë nga krahët. Bëmë disa ndryshime në lëvizjet tona gjatë pushimit, gjetëm shumë hapësira, përfshirë edhe në aksionin e golit. Largohemi këtu me kokën lart, duke e ditur se luajtëm në të njëjtin nivel me një skuadër të madhe si Real Madridi”, e mbylli ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat