Përforcim me peshë për trajnerin Ilir Daja

Futboll

Përforcim me peshë për trajnerin Ilir Daja

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 11:33
Saliou Sembene

Saliou Sembene do të bëhet futbollisti i ri i Dinamos. “Blutë” e kryeqytetit ia kanë dalë të sigurojnë firmën e qendërmbrojtësit dhe nga sot, 24-vjeçari do t’i bashkohet në stërvitje trajnerit Ilir Daja.

Ashtu siç pati raportuar pak javë më parë “Newsport.al” lidhur me bisedime të avancuara mes drejtuesve të Dinamos dhe vetë lojtarit, duket se marrëveshja është “kopsitur”, ndërsa mbetet vetëm aktet formale përpara se të vijë zyrtarizimi.

Në këtë mënyrë, Sembene kryen kështu një prej lëvizjeve më të bujshme të merkatos duke lënë Partizanin pas 5 vitesh për t’iu bashkuar një tjetër skuadre të kryeqytetit, akoma më shumë një rivali të Superiores. Kujtojmë se për të kishte interesime edhe nga Vllaznia, por Dinamo ka vepruar me shpejtësi për të siguruar shërbimet e tij. 

Me “Demat e Kuq”, 24-vjeçari ka fituar titullin dhe Superkupën e Shqipërisë, përkatësisht në sezonet 2022/23 dhe tjetrën në vitin 2024. Duke marrë në konsideratë dhe nevojat e Ilir Dajës në prapavijë, shto këtu edhe eksperiencën e përfituar nga Sembene, kjo mund të quhet një “dhuratë” për skuadrën dinamovite në një moment tepër të rëndësishëm në nisjen e kampionatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat