Betejë ligjore mes Amir Rrahmanit dhe FFK-s?

Futboll

Betejë ligjore mes Amir Rrahmanit dhe FFK-s?

Më: 11 shtator 2026 Në ora: 15:26
Amir Rrahmani

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka angazhuar përfaqësues ligjorë për çështjet që lidhen me sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona të kyçur dhe të lidhur brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Avokatëve Hodaj & Partners, e cila përmes një njoftimi publik ka konfirmuar se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të kapitenit të Kosovës.

Sipas njoftimit, tashmë janë ndërmarrë veprimet e para ligjore dhe çështja është adresuar pranë organeve të drejtësisë.

“Në kuadër të këtij përfaqësimi, tashmë janë ndërmarrë veprimet e para ligjore dhe janë paraqitur pranë organeve të drejtësisë, të mbështetur në prova dhe fakte, ndaj personave përgjegjës që janë identifikuar dhe priten të identifikohen”, thuhet në njoftimin e zyrës ligjore.

Avokatët pretendojnë se Rrahmani për më shumë se dy vite është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme, por se deri më tani ka zgjedhur që këto shqetësime t'i adresojë brenda institucioneve dhe të mos i bëjë publike.

“Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t'i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal”, thuhet tutje në reagim.

Nga Zyra e Avokatëve Hodaj & Partners është bërë e ditur se nga ky moment, të gjitha çështjet që kërkojnë trajtim juridik do të adresohen përmes rrugëve institucionale dhe mbi bazën e provave.

Përfaqësuesit ligjorë të Rrahmanit kanë theksuar se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave, integritetit dhe reputacionit të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, ndërsa kanë shprehur besimin se institucionet e drejtësisë do ta japin fjalën e tyre për këtë rast.

Ky zhvillim pritet të ngjallë reagime edhe në opinionin sportiv në Kosovë, pasi Rrahmani është një nga figurat kryesore të Kombëtares dhe prej vitesh mban shiritin e kapitenit të “Dardanëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat