Nga 58 milionë euro tek ekipi U-21

Futboll

Nga 58 milionë euro tek ekipi U-21

Më: 13 shtator 2026 Në ora: 13:05
Riçarlison

Riçarlison po përjeton një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij te Totenhemi.

Sulmuesi brazilian nuk është përfshirë në listën prej 25 lojtarësh për sezonin e ri dhe është dërguar të stërvitet me ekipin U-21. 29-vjeçari, të cilit i ka mbetur edhe një vit në kontratën me londinezët, i është drejtuar FIFA-s me kërkesën për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes.

Riçarlison beson se vendimi i Totenhemit për ta larguar nga skuadra e parë mund t’i japë një bazë ligjore për t’u larguar menjëherë nga klubi. Braziliani luajti në ndeshjen e parë të sezonit, në humbjen ndaj Brentfordit, por që prej atëherë e ardhmja e tij në Londër është vënë seriozisht në pikëpyetje.

Sulmuesi dëshiron të largohet sa më shpejt dhe një vendim pozitiv nga FIFA do t’i hapte mundësinë për të vazhduar karrierën jashtë Anglisë, edhe pse merkatoja tashmë është mbyllur.

Evertoni- Gjatë verës, Riçarlison u lidh me një rikthim tek Evertoni, klub ku kaloi katër vite dhe shënoi 53 gola në 152 ndeshje. Ai e refuzoi mundësinë për t’u rikthyer në “Gudison Park” dhe për të punuar me trajnerin Dejvid Mojes.

Më pas, braziliani e cilësoi Evertonin si klubin e tij të preferuar në rrjetet sociale, ndërsa kritikoi mënyrën se si Totenhemi kishte menaxhuar negociatat. Tani, Vasko da Gama është shfaqur si një destinacion i mundshëm. Nëse FIFA i jep të drejtë për të ndërprerë kontratën, sulmuesi mund të rikthehet në Brazil. Ai shpreson të ndjekë shembullin e bashkatdhetarit Renan Lodit, i cili vjet ndërpreu kontratën me Al-Hilalin me ndërmjetësimin e FIFA-s.

Rasti hap debat në Angli

Situata ka shkaktuar debat edhe në Angli. Ish-pronari i Kristal Palasit, Sajmon Xhordan, e ka cilësuar rastin si potencialisht të rrezikshëm për futbollin. Sipas tij, një vendim i tillë mund të krijojë precedent për futbollistët që kërkojnë të largohen nga klubet e tyre përmes procedurave të ngjashme. Riçarlison iu bashkua Totenhemit nga Evertoni në vitin 2022 për rreth 58 milionë euro.

Në katër vite me klubin londinez, ai ka regjistruar 32 gola dhe 15 asistime në 134 paraqitje. Aktualisht, vlera e tij në treg vlerësohet rreth 25 milionë euro. Me kombëtaren e Brazilit, Riçarlison ka zhvilluar 54 ndeshje dhe ka shënuar 20 gola.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat