UEFA inspekton stadiumet e Shqipërisë

Futboll

UEFA inspekton stadiumet e Shqipërisë

Më: 13 shtator 2026 Në ora: 13:16
Pamje

Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 është pak muaj larg dhe kjo ka bërë që UEFA të zbres në terren për të parë nga afër se sa gati është vendi ynë për të pritur yjet e ardhshëm të futbollit.

Drejtuesi i Operacioneve në UEFA, Guillaume Poisson, e konsideroi organizimin e Europianit U-21 një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë dhe një dëshmi të besimit të UEFA-s ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Është vërtet shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria të ketë mundësinë të organizojë një prej turneve madhore të UEFA-s. Kjo është një dëshmi e besimit që kemi te Federata Shqiptare e Futbollit dhe te aftësia e saj për të organizuar turnetë tanë”, tha drejtuesi i operacioneve në UEFA, Guillaume Poisson.

Ai bëri të ditur se inspektimet janë zhvilluar në Shkodër dhe Elbasan, ndërsa tashmë janë përcaktuar ndërhyrjet që duhet të realizohen në impiantet pritëse.

UEFA do të rikthehet në Shqipëri në muajin mars për inspektimin përfundimtar, ku do të vlerësohet nëse stadiumet dhe impiantet janë plotësisht gati për të pritur ndeshjet e turneut.

“Kemi qenë në Shkodër dhe në Elbasan për të vizituar stadiumet. Tashmë kemi evidentuar të gjitha përmirësimet dhe ndërhyrjet që duhen bërë. Qytetet pritëse i kanë marrë këto informacione dhe raportet përkatëse, ndaj e dinë se çfarë duhet të bëhet”, tha Poisson.

Europiani U-21 do të zhvillohet në Shqipëri nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, duke sjellë në vendin tonë disa prej talenteve më të mëdhenj të futbollit europian.

Poisson i bëri thirrje tifozëve të huaj dhe vendas që ta shfrytëzojnë këtë event edhe për të njohur Shqipërinë.

“Ejani në Shqipëri, blini një biletë për një ndeshje dhe zbuloni këtë vend të bukur”, tha Poisson.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat