Besëlidhja u kthye në këtë sezon në Kategorinë e Parë, por falë investimeve të kryera gjatë merkatos së verës, pritshmëritë ishin për një skuadër me pretendime madhore.
Lezhjanët u ndërtuan dhe u promovuan si një prej kandidateve për sigurimin e një bilete ngjitjeje në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, starti ka qenë katastrofal për Besëlidhjen.
Skuadra ka pësuar dy humbje në po kaq ndeshje, një ecuri që i kushtoi vendin e punës trajnerit Elvis Plori.
Deri mbrëmë, klubi lezhjan nuk kishte bërë ende të ditur zëvendësuesin e Plorit dhe as se kush do ta drejtojë ekipin në transfertën e radhës ndaj Bylisit.
Pavarësisht këtyre problemeve të fillimit, Besëlidhja nuk ka humbur mbështetjen e tifozëve.
Përkundrazi, tifo-grupi “Dragojtë e Veriut” ka konfirmuar se do të jetë pranë skuadrës edhe në transfertën e Ballshit. Tifozët lezhjanë kanë dhënë një tjetër dëshmi të dashurisë për ekipin e zemrës, duke mbushur shkallët e stadiumit “Besëlidhja” në dy ndeshjet e para, pavarësisht rezultateve negative. Në një njoftim të publikuar para transfertës, “Dragojtë e Veriut” kanë bërë të qartë se mbështetja për skuadrën do të jetë e pakushtëzuar.
“Pavarësisht rezultateve negative në këtë start sezoni, tifozeria lezhjane po tregon dita-ditës dashurinë e madhe që ka për futbollin dhe ekipin e zemrës, duke mbushur shkallët e stadiumit ‘Besëlidhja’ plot e përplot. Kjo tregon se mbështetja do të vazhdojë dhe, pavarësisht euforisë dhe pritshmërive, pasi kemi vite që po e presim rikthimin e Besëlidhjes, do të jemi aty në mbështetje të çunave dhe skuadrës në Ballsh! Të mërkurën, ora 16:00,Bylis – Besëlidhja. Forca Besëlidhja!”