Barcelona kërkon 55 milionë euro

Futboll

Barcelona kërkon 55 milionë euro

Më: 16 shtator 2026 Në ora: 12:03
Barcelona

Mançester Junajtidi po përgatit një tjetër përpjekje për të transferuar Erik Garsian nga Barcelona. Klubi anglez synon ta joshë mbrojtësin spanjoll me kushte më të mira financiare, por katalanasit nuk kanë ndërmend ta lënë të largohet lehtë.

Mançester Junajtidi po përgatitet të rikthehet në sulm për Erik Garsian, me trajnerin Majkëll Kerrik që e konsideron spanjollin një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv.

Sipas raportimeve të “El Nacional”, drejtuesit e klubit anglez janë të gatshëm të bëjnë një sakrificë financiare për të bindur Garsian të transferohet në “Old Trafford”.

Megjithatë, Barcelona nuk ka dhënë asnjë sinjal se dëshiron ta shesë lojtarin, të cilit së fundmi i ka rinovuar kontratën deri në qershor të vitit 2031.

Interesimi i Kerrikut lidhet veçanërisht me fleksibilitetin e 29-vjeçarit. Garsia mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike. Spanjolli iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë në korrik të vitit 2021 dhe tashmë konsiderohet një nga mbrojtësit me vlerë të konsiderueshme në treg.

Sipas “Transfermarkt”, kartoni i tij vlerësohet rreth 40 milionë euro. Megjithatë, Barcelona pritet të kërkojë 50 deri në 55 milionë euro për të nisur negociatat për shitjen e tij. Operacioni nuk do të jetë aspak i lehtë për Junajtidin. Kontrata e gjatë e Garsias i jep Barcelonës një pozicion shumë të fortë negociues dhe klubi katalanas nuk ka presion financiar për ta shitur gjatë sezonit 2026/27.

Pikërisht për këtë arsye, një transferim në merkaton e janarit duket i vështirë. Junajtidi duhet të përballet edhe me konkurrencën e Paris Sen-Zhermenit, që po e monitoron gjithashtu situatën e mbrojtësit për të përforcuar skuadrën e trajnerit Luis Enrike. Garsia, ndërkohë, mbetet një objektiv i rëndësishëm për Mançester Junajtidin, por për ta bindur Barcelonën do të duhet një ofertë e konsiderueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat