Asgjë e re sa i përket Manchester Unitedit, gjigantit të futbollit anglez që pothuajse çdo sezon e nis nën pritshmëri, duke krijuar menjëherë presion të madh mbi trajnerin që qëndron në stolin e “Djajve të Kuq”.
Ajo që ndodhi me Ten Hag dhe Amorim tani po i ndodh edhe Michael Carrickut.
Trajneri që sezonin e kaluar merrte lëvdata si zgjidhje e përkohshme, tani duket krejtësisht pa ide, pasi mori një kontratë të përhershme dyvjeçare në stolin e Unitedit.
Kontrata dyvjeçare, duke gjykuar nga mënyra se si kanë nisur gjërat, duket se Carricku definitivisht nuk do ta përfundojë deri në fund.
Tifozët, por edhe një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve, janë të zhgënjyer nga mungesa e karakterit që po tregon skuadra.
Humbja në javën e parë ndaj Hull City, e pasuar nga barazimi dhe goli i pësuar nga Evertoni në sekondat e fundit, e më pas dështimi në derbin e qytetit ndaj Manchester Cityt, në të cilin Unitedi luajti për 70 minuta me një lojtar më shumë...
Dhe mbi të gjitha, eliminimi i djeshëm nga Kupa e Ligës ndaj Brightonit. Në atë ndeshje Manchester Unitedi po fitonte 2:0, por në fund humbi në shtëpi me rezultat 2:3.
Carricku e nisi ndeshjen me një formacion të kombinuar. Pas përmbysjes së rezultatit, ai aktivizoi në fushë yjet kryesorë të skuadrës, por reagimi mungoi dhe Unitedi, në fund, mund të ishte i kënaqur që nuk pësoi edhe ndonjë gol tjetër.
Për të gjithë po bëhet gjithnjë e më e qartë se ish-reprezentuesi anglez nuk e ka autoritetin e nevojshëm në dhomën e zhveshjes, veçanërisht për të gjetur një zgjidhje dhe për t'iu afruar skuadrës në një periudhë krize.
Duket se krediti i fundit i Carrickut është harxhuar me eliminimin nga Kupa e Ligës. Manchester Unitedi pritet që në ditët në vijim të fillojë të shqyrtojë alternativa të tjera për trajner, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që gjatë pushimit të ardhshëm për ndeshjet e kombëtareve të ketë ndryshim në stolin e “Old Traffordit”.