Vllaznia vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Teutës, që do të luhet të premten në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në kampin kuqeblu objektivi është i qartë: rikthimi te fitorja, pas një starti të vështirë të kampionatit, ku shkodranët ende nuk kanë mundur të marrin tri pikët. Në portë pritet të jetë sërish Avram, zgjedhja fikse e trajnerit Edi Martini që nga starti i këtij edicioni.
Në mbrojtje pritet të ruhet në pjesën më të madhe struktura e ndeshjeve të fundit, ndërsa dilema kryesore e stafit teknik lidhet me një prej vendeve në prapavijë. Konkretisht, Martini ka një zgjedhje mes Pusit dhe Dulysse-s. Haitiani duket se ka një avantazh të lehtë për të nisur nga minuta e parë, por vendimi përfundimtar pritet të merret pas seancave të fundit stërvitore.
Ndërkohë, Gurishta dhe Dumfur pritet të jenë dy nga titullarët e repartit të prapavijës. Në mesfushë pritet edhe një rikthim. Bardhi mund të marrë sërish një vend në formacionin titullar, duke iu bashkuar Mustës, Drosit, Qatos dhe Muratajt. Gjithsesi, kjo mbetet një nga zonat ku Martini mund të bëjë ndryshime të minutës së fundit, pa përjashtuar ndonjë surprizë në formacion.
Në repartin ofensiv, dyshja Balaj-Bizi shihet si alternativa më e mundshme për të udhëhequr sulmin kuqeblu. Të dy do të kenë detyrën për të rikthyer Vllazninë te goli dhe, mbi të gjitha, te fitorja, në një moment kur skuadra ka nevojë për reagim. Kështu, përballë Teutës, Martini ka ende disa pikëpyetje për të zgjidhur, por formacioni bazë po merr gjithnjë e më shumë formë. Për shkodranët, kjo përballje është një mundësi për të kthyer faqe pas katër javësh pa fitore dhe për të marrë një rezultat që do t’i sillte skuadrës qetësinë e munguar.
STATISTIKAT JANË NË ANËN E KUQEBLUVE
Bilanci i 20 përballjeve të fundit mes Vllaznisë dhe Teutës flet qartë në favor të shkodranëve. Kuqeblutë kanë regjistruar 11 fitore, ndërsa 8 ndeshje janë mbyllur në barazim. Teuta ka arritur vetëm një fitore në këtë seri, sipas “World Soccer Data”. E vetmja fitore e durrsakëve në këtë periudhë erdhi sezonin e kaluar, pikërisht në Shkodër, kur Teuta triumfoi 0-1. Ky rezultat ndërpreu një seri të gjatë të Vllaznisë pa humbje ndaj ekipit durrsak në kampionat.
Në këtë periudhë, kuqeblutë kanë regjistruar edhe disa fitore të rëndësishme, si 4-0 në dhjetor 2022, 2-0 dhe 2-1 në sezonin 2023-24, ndërsa në edicionin e kaluar morën dy suksese, përfshirë fitoren 1-0 në “Loro Boriçi”. Megjithatë, përtej statistikave historike, Vllaznia duhet ta tregojë këtë avantazh edhe në fushë. Shkodranët vijnë pas katër javësh pa fitore dhe me nevojën për të reaguar sa më shpejt, ndërsa Teuta mbetet një kundërshtar që ka dhënë vazhdimisht përballje të forta.
11 fitore, 8 barazime dhe vetëm 1 humbje në 20 duelet e fundit janë shifra që i japin besim kampit kuqeblu. Por historia nuk luan ndeshjen dhe Martini kërkon që ky avantazh statistikor të kthehet në një fitore të re të premten në “Loro Boriçi”
Formacioni i mundshëm(3-5-2): Avram; Gurishta, Dulys(Pusi), Dumfur; Bardhi, Qato, Dros, Murataj, Musta; Bizi, Balaj.