Është momenti i Jasir Asanit. Sulmuesi i Kombëtares po bën atë për të cilën jemi mësuar të shohim prej tij në fushë, duke dominuar në repartin ofensiv, me gola dhe asiste.
Ndeshja e fundit prodhoi pikërisht këtë përfundim, ku anësori ishte “i papërmbajtshëm” në fitoren e skuadrës së tij Esteghlal përballë Al-Sadd, ndeshje e vlefshme për Champions League-n aziatike fituar me rezultatin 3-0, ku pati “dorë” edhe vetë Asani.
Pikërisht këto paraqitje, kanë rënë edhe në sytë e faqes së Champions League-s aziatike që publikon videon me momentet pikante të këtij dueli, ku Asani fillimisht gjen rrugën e rrjetës dhe më pas shërben në mënyrë të mrekullueshme te shoku i skuadrës për të dytin e takimit.
Kur dimë se nesër shpallet edhe lista zyrtare e trajnerit Rolando Maran për ndeshjet që Kombëtarja do t’i luajë në fundin e muajit shtator dhe në tetor, prezenca e Asanit në fushë me gola dhe asiste “ngroh” italianin për përzgjedhjet përfundimtare që do të njoftohen pikërisht ditën e nesërme.