Teuta drejt Shkodrës për fitore

Futboll

Teuta drejt Shkodrës për fitore

Më: 18 shtator 2026 Në ora: 13:15
Teuta

Teuta është skuadra e momentit në Kategorinë Superiore dhe me këtë status të besuarit e trajnerit Edlir Tetova kanë udhëtuar drejt Shkodrës.

Durrsakët vijnë në këtë përballje në një formë mjaft të mirë, pas një starti pozitiv të kampionatit, dhe sonte do të kërkojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve. Ekipi ka zhvilluar një javë stërvitore me ritëm të lartë në përgatitje të duelit me Vllazninë, që do të luhet në orën 18:30 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në kampin durrsak atmosfera është pozitive, ndërsa trajneri Tetova e ka grupin e plotë dhe në gjendje optimale fizike. Kjo i jep stafit teknik mundësi të shumta për përzgjedhjen e formacionit. Megjithatë, duke parë paraqitjet dhe rezultatet e javëve të fundit, nuk priten ndryshime të mëdha në formacion. Tetova pritet t’u besojë sërish titullarëve që kanë regjistruar tri fitore radhazi, duke ruajtur të njëjtën strukturë që i ka dhënë rezultate skuadrës në startin e sezonit.

Durrsakët do të zbresin sonte në fushën e “Loro Boriçit” me një objektiv të qartë: të korrin fitoren e katërt radhazi dhe të vazhdojnë të mbajnë kreun e Kategorisë Superiore. Për Teutën, sfida ndaj Vllaznisë përbën një tjetër provë të rëndësishme, pasi përballë do të ketë një kundërshtar që kërkon reagimin pas javëve të para pa fitore.

Në këtë përballje, Teuta pritet të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të saj. Ultrasit durrsakë kanë premtuar se do të jenë pranë skuadrës edhe në Shkodër, duke synuar t’i japin një shtysë më shumë ekipit në një transfertë të vështirë.

Një tjetër element pozitiv për durrsakët janë edhe statistikat e golave. Në katër javët e para të kampionatit, Teuta ka shënuar tetë gola dhe ka pësuar vetëm dy.

Këto shifra tregojnë qartë ekuilibrin që skuadra e Tetovës ka krijuar në të dyja fazat e lojës, duke u renditur mes ekipeve me sulmin më produktiv dhe mbrojtjen më të fortë të Superiores. Me një skuadër të plotë, tri fitore radhazi dhe një bilanc pozitiv golash,

Teuta zbret në Shkodër me besimin për të vijuar marshimin në krye. Përballë Vllaznisë, durrsakët kërkojnë edhe një tjetër rezultat që do t’i mbajë në krye dhe do të konfirmonte startin e fortë të këtij sezoni.

Formacioni i mundshëm(4-4-1-1): Benardoni; Fangaj, Zhongo, Përgjoni, Toli; Boçi, Votlai, Arifi, Mala; Kallaku; Umejiego

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat