Deri para dy xhirove, gjithçka dukej pothuajse perfekte në kampin e Shkëndijës.
Tetovarët kishin regjistruar pesë fitore në pesë ndeshjet e para, duke krijuar një epërsi të konsiderueshme ndaj rivalëve.
Më pas erdhi humbja në shtëpi ndaj Tikveshit, ndërsa në ndeshjen pasuese Shkëndija barazoi me Arsimin, edhe pse kishte epërsi prej 0:2. Kështu, nga gjashtë pikë të mundshme, skuadra tetovare ka marrë vetëm një.
Për këtë arsye, lideri tashmë nuk është aq e qetë në kreun e tabelës. Shkëndija ka vetëm dy pikë më shumë se Struga TL dhe tri pikë më shumë se Shkëndija e Haraçinës.
Sot, nga ora 16:00, në Gostivar, Shkëndija do të përballet me Bashkimin e Kumanovës, që po kalon një periudhë pozitive dhe kërkon të vazhdojë me rezultate të mira.
Sulmuesi i Shkëndijës, Besart Ibraimi, pranon se skuadra ndodhet në një mini-krizë, por beson se kjo është një mundësi për rikthim.
“Është e qartë se jemi në një mini-krizë, e cila është normale për ekipet që luajnë gjatë në Evropë, si Shkëndija.
Është e natyrshme të ketë lodhje. Megjithatë, sot kemi mundësinë të fitojmë. E respektojmë Bashkimin, një ekip që kohët e fundit po luan shumë mirë, por nëse ne jemi në nivelin tonë të vërtetë, nuk duhet të kemi probleme”, deklaroi Ibraimi.