“Besoj se ishte një ndeshje në të cilën të dyja skuadrat mund të fitonin.
Goli në fillim të pjesës së dytë i dha energji Interit, që është një skuadër e madhe, por ne nuk u dorëzuam. Kjo është një ndeshje që duhet të na japë kënaqësi dhe besim për gjendjen dhe cilësinë që po tregojmë.
Duhet të vazhdojmë në këtë linjë”.
Kështu u shpreh Xhan Piero Gasperini pas barazimit 2-2 ndaj Interit.
Trajneri i Romës analizoi edhe paraqitjen e skuadrës së tij:
“Në pjesën e parë kishim hapësira të rëndësishme dhe sa herë që dilnim në kundërsulm arrinim të ishim të rrezikshëm. Fizikisht jemi në një nivel të lartë, por duhet të punojmë për vazhdimësinë gjatë ndeshjeve dhe pas pushimit të përdorim të gjithë organikën”.
“Tre gola të pësuar në pesë minutat e para të pjesës së dytë nuk janë rastësi. Sot e pësuam golin në mënyrë sipërfaqësore dhe disi edhe me tepricë vetëbesimi.
Megjithatë, duhet të them se Roma ishte gjithmonë në lojë dhe kërkoi vazhdimisht fitoren. Nuk u dorëzuam asnjëherë, pavarësisht se përballë kishim një skuadër të madhe”, shtoi Gasperini.
I pyetur nëse diferenca me Interin po ngushtohet, trajneri verdhekuq u shpreh: “Ka hapësirë për përmirësim për të gjithë, edhe Interi ka ende margjina. Ne duhet të jemi të kënaqur me rrugëtimin tonë dhe me cilësinë që po tregojmë në këto ndeshje. Në këtë skuadër ka shumë energji pozitive”.
Gasperini foli edhe për ndryshimet në prapavijë: “Më është dashur të bëj ndryshime sepse kishte pak lodhje. Ishte për të ardhur keq që duhej të zëvendësoja Balerdi. Ndeshja ishte gjithmonë e hapur”.
Në fund, për mesazhin që Roma i dërgon kampionatit, Gasperini tha: “Duhet të shohim punën tonë dhe të jemi të vetëdijshëm se në situata të caktuara dimë të jemi një skuadër e mirë.
Kemi një nivel të lartë, por duhet të shohim vazhdimësinë gjatë ndeshjeve, sidomos kur të kemi në dispozicion të gjithë organikën. Patëm edhe një rast të jashtëzakonshëm me Malen, i cili e goditi topin në fytyrën e Martinezit”, përfundoi ai.