Mikel Arteta i kritikoi ashpër lojtarët e tij si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë teknik, pas humbjes poshtëruese të Arsenalit të shtunën mbrëma në udhëtim ndaj Brightonit, i cili triumfoi 3-0 në javën e pestë të Premierligës.
Kjo ishte humbja e parë e Arsenalit këtë sezon.
Rezultati e lë kampionin në fuqi me 12 pikë dhe i jep Manchester Cityt mundësinë të krijojë një epërsi prej tri pikësh në krye të tabelës.
Sipas “Sky Sports”, “golat e Pascal Grossit, Charalampos Kostoulasit dhe Yasin Ayarit i shkaktuan Arsenalit humbjen më të thellë në Premierligës në tre vjet dhe i dhanë fund në mënyrë të papritur startit triumfues të sezonit”.
Arteta vlerësoi se lojtarët e tij e kishin humbur betejën fizike dhe u ankua për mënyrën e pakujdesshme se si e trajtuan topin, teksa presioni i Brightonit i mposhti.
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Arsenalit tha: “Një rezultat dhe paraqitje jashtëzakonisht zhgënjyese. Të gjitha meritat për Brightonin për mënyrën se si luajtën dhe për mënyrën se si e menaxhuan ndeshjen”.
“Ata ishin në një nivel tjetër para nesh në gjërat bazë të lojës”, shtoi Arteta.
“Ata ishin gjithmonë të parët në duelin e parë, në lëvizjet e dyta dhe në topat e dytë, dhe prej aty nisën të luanin”, shtoi ai tutje.
Ai vazhdoi: “Përveç gjithë kësaj, kur e kishim topin, sidomos në gjysmën tonë të fushës, ishim shumë të dobët teknikisht dhe nuk i respektuam rregullat dhe parimet e lojës që duhet të zbatohen kundër një skuadre që dëshiron të të bëjë presion lojtar për lojtar”.
Ai theksoi: “Kjo nuk të jep kurrë mundësinë ta dominojë ndeshjen dhe ta kontrollosh atë në mënyrën që dëshiron. Dhe kur patëm mundësi të mëdha, nuk i shfrytëzuam. Duhet të sigurohemi që ta mësojmë mësimin, sepse kjo nuk mund të ndodhë përsëri”.
Arteta shtoi në konferencën për media pas ndeshjes: “Kishte shumë momente kur kontrolli ishte 50-50, por shumicën e kohës ishte në favorin e tyre”.
“Në disa raste pati disa gabime të dukshme që na dëmtuan shumë rëndë, por kjo është diçka nga e cila duhet të mësojmë”, vazhdoi ai.
Ai shpjegoi: “Që nga rivënia e parë anësore ishte shumë e qartë. E vumë veten në telashe një herë, dy herë, tri herë dhe duhej të dilnim nga ajo situatë shumë më shpejt. Ky është një nga mësimet më të rëndësishme që duhet të nxjerrim nga ndeshja”.
Me një ndërprerje trejavore për ndeshjet e kombëtareve që po afrohet, Arteta kërkoi durim në vlerësimin e skuadrës së tij.
Ai tha: “Kjo nuk do të ndikojë në atë që skuadra dhe lojtarët kanë arritur gjatë gjashtë apo shtatë javëve të fundit që nga kthimi i tyre nga Kupa e Botës. Me 18 lojtarë që u rikthyen, ajo që arritëm, mënyra se si konkurruam dhe numri i ndeshjeve që fituam ishte fantastik”.
Ai përfundoi: “Por ky është një mësim i madh për të gjithë ne, për ta kuptuar se çfarë kërkohet për të fituar në këtë nivel”.