Fillimi i sezonit nuk ka qenë aspak ideal për Paris Saint-Germainin, ndërsa rotacioni i vazhdueshëm i trajnerit Luis Enrique nuk e ka prekur statusin e Vitinhas në formacionin e skuadrës franceze.
Sipas prestigjiozes franceze L’Équipe, mesfushori portugez nuk e ka shfaqur ende potencialin e tij maksimal në këtë fazë të sezonit, por vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të projektit taktik të trajnerit spanjoll.
Në fakt, Vitinha është deri tani lojtari më i aktivizuar i PSG-së.
Ai i ka grumbulluar 609 minuta nga 630 të mundshme në të gjitha kompeticionet, duke qenë një nga të paktët futbollistë që Luis Enrique nuk i ka kursyer nga rotacioni.
Arsyeja kryesore është profili i tij unik. Portugezi kombinon organizimin e lojës, kontrollin e ritmit dhe kreativitetin, elemente që e bëjnë një pjesë qendrore të mënyrës së lojës së Luis Enrique.
Edhe statistikat e tij këtë sezon janë pozitive, me një gol dhe një asistim, krahas kontributit në krijimin dhe përparimin e aksioneve të PSG-së.
Pikërisht për shkak të rëndësisë së tij në skemën e trajnerit spanjoll, Vitinha pritet të jetë sërish titullar nga minuta e parë në mesfushën e PSG-së në sfidën e radhës ndaj Olympique Marseille, në derbin e madh francez, “Le Classique”.