Trajneri i Struga Trim & Lum, Bledi Shkëmbi, nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores së djeshme 6:0 ndaj Arsimit.
Interesant është fakti se Shkëmbi tha se i pëlqeu më shumë pjesa e parë, edhe pse skuadra e tij nuk shënoi gol gjatë 45 minutave të para. Sipas tij, Struga mund të kishte fituar edhe më thellë.
“Fitore me gjashtë gola diferencë, besoj se e merituam.
Duhej të shënonim në pjesën e parë, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim siç duhet rastet. Në pjesën e dytë patëm pak fat me gabimin e portierit kundërshtar, por mendoj se fitoren e merituam plotësisht”, tha trajneri.
Shkëmbi theksoi se, pavarësisht mungesës së golave në pjesën e parë, mënyra se si luajti skuadra i pëlqeu shumë:
“Sa i përket mënyrës se si u zhvillua ndeshja, mua personalisht më pëlqeu më së shumti pjesa e parë, sepse ishim shumë dominues në fushë dhe luajtëm pikërisht ashtu siç ishim përgatitur.”
Trajneri i Strugës tha se përgjithësisht është i kënaqur me pikët e grumbulluara në tetë javët e para të kampionatit, edhe pse skuadra mund të kishte marrë disa pikë më shumë, sidomos në ndeshjet jashtë fushe.
“Kemi një humbje…! Megjithatë, mund të them se jam i kënaqur me ekipin në këto tetë javë të kampionatit. Do të donim të kishim edhe disa pikë më shumë, por nuk ia dolëm.
Nga mënyra se si luajtëm, mendoj se dominuam ndaj kundërshtarëve. Pozita e dytë është pozitive, por kampionati është i gjatë dhe duam të bëjmë më të mirën deri në fund.”
Shkëmbi e mirëpret edhe pushimin për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, pasi sipas tij një pushim i shkurtër u nevojitet si futbollistëve, ashtu edhe stafit.
“Sigurisht, të gjithëve na nevojitet pak më shumë pushim, ndaj edhe lojtarët e meritojnë.”
Bledi Shkëmbi sheh tre ose katër skuadra në garë për titullin kampion këtë sezon, ku përfshin edhe Struga Trim & Lum.
Megjithatë, ai paralajmëron se skuadra duhet të shmangë gabimet e sezonit të kaluar nëse dëshiron ta ndjekë objektivin deri në fund.
“Jemi të vetëdijshëm se nuk duhet ta përsërisim gabimin e vitit të kaluar, kur për një kohë të gjatë ishim në garë për titull dhe në fund bëmë më shumë gabime sesa duhej.”
Pra, pas tetë javësh, Struga është në pozitën e dytë, ndërsa Shkëmbi thekson se kampionati është ende i gjatë dhe se skuadra duhet të ruajë nivelin e lojës dhe të shmangë gabimet e panevojshme.