Starti i vështirë i Alexander Isak dhe Florian Wirtz me fanellën e Liverpoolit mund të ketë një shpjegim që shkon përtej performancës së tyre në fushën e lojës. Ish-kapiteni i “Reds”, Andrew Robertson, tashmë pjesë e Tottenhamit, ka treguar se humbja tragjike e Diogo Jota-s ndikoi thellë te e gjithë skuadra.
Isak dhe Wirtz, dy afrimet e mëdha të Liverpoolit në verën e vitit 2025, për të cilët klubi shpenzoi gjithsej 265 milionë euro, kanë kaluar muaj të vështirë. Sulmuesi suedez kushtoi 140 milionë euro, ndërsa Wirtz u transferua nga Bayer Leverkusen për 125 milionë euro.
Sipas Robertson, gjendja emocionale në klub pas ndarjes tragjike nga jeta të Jota-s luajti një rol të rëndësishëm, veçanërisht për futbollistët e rinj që sapo ishin bashkuar me skuadrën.
“Është e vështirë për t’u përshkruar, sepse ajo që përjetuam ishte vërtet e tmerrshme. Të rinjtë erdhën në një klub me zemër të thyer. Për ta ishte e komplikuar, sepse sapo kishin firmosur për shifra të mëdha, por në atë moment futbolli nuk ishte gjëja më e rëndësishme”, deklaroi Robertson në emisionin “The Overlap”.
Ish-mbrojtësi skocez kujtoi edhe ndikimin që pati humbja e Jota-s në dhomën e zhveshjes.
“Humbëm një nga miqtë tanë më të mirë në dhomën e zhveshjes. Çdo futbollist ka diçka ekstra, por kur e humbet atë, bëhet e vështirë të japësh maksimumin. Sezonin e kaluar pikërisht këtë komponent e humbëm”, shtoi ai.
Robertson theksoi se Jota nuk ishte thjesht një futbollist për skuadrën.
“Ai nuk ishte vetëm një lojtar. Ishte shok skuadre, mik, ishte gjithçka për ne. Ne ishim në zi si skuadër”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Isak duket se e ka lënë pas periudhën e vështirë dhe ka nisur sezonin 2026/27 me katër gola në pesë ndeshjet e para të Premier League. Në krahun tjetër, Wirtz vijon të kërkojë formën e tij më të mirë me fanellën e Liverpoolit.